Presidenti i Komitetit Olimpik të Kinës, Gao Zhidan viziton Shqipërinë

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Me ftesë të presidentit të Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli ka mbërritur në Tiranë, për një vizitë pune, presidenti i Komitetit Olimpik të Kinës dhe njëherësh ministër i Sportit, Gao Zhidan.
Presidenti Gao Zhidan është pritur në zyrat e KOKSH nga presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, zv.presidenti i KOKSH, Erlind Pëllumbi, sekretari i përgjithshëm i KOKSH, Gerti Shima, zv.ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, rektori i Universitetit të Sporteve, Agron Kasa, drejtoresha e Akademisë Olimpike, Enkelejda Caushi dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.
Ylli në fjalën e tij ka vlerësuar miqësinë mes dy popujve ndër vite dhe kontributin e ndërsjellë në disa fusha të jetës dhe cilësoi këtë vizitë si një moment historik, për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin në sport.
Presidenti Gao Zhidan është shprehur i impresionuar nga pritja që i është bërë dhe theksoi se miqësia mes Kinës dhe Shqipërisë është shumë e rëndësishme dhe bashkëpunimi mes dy Komiteteve Olimpike do të vijojë të forcohet edhe më tej.
Më pas presidentët kanë firmosur Memorandumin e Bashkëpunimit, i cili konsiston në zhvillimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë mes dy Komiteteve, shkëmbimin e eksperiencave në disiplina të ndryshme sportive, mbështetje me kualifikime dhe trajnime, si edhe në administrimin sportiv.
Gjithashtu do të krijohet një bashkëpunim konkret mes universiteteve të sporteve, në shkencë dhe mjekësi sportive.
Pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit, të dy presidentët dhanë një konferencë për mediet.
1 nga 20/gj.m//r.e//a.f/