Mbështetje nga Skema Kombëtare, fermeri nga Maliqi zgjeroi fermën me 500 koshere bletësh

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Fermeri nga Malizi, Fisnik Mucollari, 28-vjeçari, është shembulli se si një pasion i hershëm mund të kthehet në një mënyrë jetese dhe në një sipërmarrje të mirëfilltë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale historinë e tij, teksa bëri të ditur se, Fisniku e ka nisur rrugëtimin në botën e bletarisë që në moshën 13-vjeçare.
“Kur nisi të kujdesej për bletët kishte disa koshere të vogla dhe sot numëron 500 koshere bletësh të vendosura në zona me biodiversitet të pasur, si në Gorë, Beras, Plovisht, Novoselë dhe në zonën me gështenja të Pogradecit”, tha Denaj.
“Produkti i kësaj pune të palodhur nuk është vetëm mjalti natyral, por edhe një gamë e gjerë produktesh të tjera të bletarisë si qumështi i bletës, propolisi, poleni, dylli natyral, mbretëresha bletësh, koshere druri e shumë të tjera, me anë të së cilave kontribuon në ekonominë lokale edhe promovon produktet Made in Albania”, u shpreh ministrja.
Denaj tha se, mbështetja prej vitesh nga Skema Kombëtare për bletari ka qenë një shtysë e vazhdueshme për të çuar përpara këtë angazhim.
“Përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë të kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%”, theksoi ajo.
1 nga 5/e.xh/r.e//a.f/