E Diel, 1 Nëntor 2026

Pretendimi i rreme

Në literaturën e gjertanishme serbe, madje pjesërisht në atë jugosllave dhe të Perëndimit, kuptohet nën ndikimin e së parës literaturë mbizotëron mendimi se në truallin e Kosovës së sotme dhe në pjesën perëndimore të Maqedonisë së sotme, historia e shqiptarëve daton pas të ashtuquajturës "dyndje e madhe serbe me Patrikun e Pejës, Arsenijen III Çernojeviq në krye" në vitin 1690 me ç‘rast gjoja nga këto vise u larguan serbët tërësisht dhe në "vendet e mbetura u vërsulën shqiptarë nga malet e Shqipërisë" (Skënder Rizaj, Kosova gjatë shekujve XV, XVI, XII). Tezën e mësipërme serbe e hedh poshtë prof. Skënder Riza në veprën e sipërpërmendur, duke analizuar administrimin, ekonominë, shoqërinë dhe lëvizjet popullore në Kosovë gjatë shekujve XV, XVI, XVII e po ashtu prof. Selami Pulaha e studiues të tjerë. Të bën përshtypje libri "Ballkani, Historia e Bullgarisë, Serbisë, Greqisë, Rumanisë dhe Turqisë‘, me autorë Nevill Forbes, Arnold. J. Toynbee, D. Mitrany, D.G. Hogarth botuar nga Oxford at the Clarendon Press, viti 1915. Ky libër është ribotuar disa herë. Po marrim botimin e vitit 2004 nga Globusz Publishing, Neë York - Berlin 2004. Kapitulli "Serbia", që është shkruar nga autori Nevill Forbes, citojmë nga tema e këtij kapitulli "Sundimi turk, 1496-1796" një pasazh: "Gjatë luftës që pasoi me thyerjen e tyre, ku austriakët fitimtarë hynë thellë në Shkup nga jugu, morën pjesë edhe serbët në luftë kundër turqve; mirëpo kur austriakët u shtrënguan të tërhiqeshin, serbët, që kishin ngritur krye kundër Turqisë me urdhër të Patrikut të tyre, Arsenit III, e paguan shtrenjtë atë pjesëmarrje që rezultoi me një eksod të plotë, me Patrikun në krye drejt kufirit ushtarak austro-hungarez. Këtë herë ishte vetë zemra e Serbisë ajo që u la në mëshirë të fatit, ajo, pra Serbia e vjetër dhe Maqedonia Veriore, përfshi Peçin (Pejën) dhe Prizrenin. Patrikana e boshatisur u mbush hë për hë me grekë, ndërsa shqiptarët, shumica e të cilëve qenë myslimanë apo thënë më shkoqur turkofilë, që u shtrinë në drejtim të veriut e lindjes, në vendet që kishin qenë toka serbe që nga shekullit VII". Ǒka u tha më sipër nga Nevill Forbes hidhet poshtë nga historia.

Bën çudi kur lexon librin e prof. dr. Rexhep Krasniqit, "Kongresi i Berlinit dhe Rilindja e Shqipërisë", tezë doktorate, Vjenë, korrik 1934, i ribotuar në Tiranë 2007. Në këtë doktoraturë, prof. dr. Rexhep Krasniqi pohon: "Në shekullin Xvii, nën drejtimin e Patrikut të Pejës Arsenije Çernojeviç, në shumicë të madhe, serbët i zbrazën tokat e tyre dhe emigruan kah Hungaria e Jugut, ndërsa vala e dytë e emigracionit serb u plotësua në shekullin e tetëmbëdhjetë të erës sonë. Në këto krahina vullnetarisht të lirueme prej serbëve, u futën shqiptarë të cilët, ner kondita tejet të zorshme ishin kenë vetmu prej pjesës kristiane të botës perëndimore, si dhe prej qendrave bregdetare të shkaktueme prej izolimit shekullor, vetvetiut, lehtësisht nënkuptohet kthimi i tyre në fenë islame... Shqiptarët zotnunë jo vetëm anën e Drinit të Bardhë e Kosovën, edhe ma tej, ata u futën tuj depërtu ma kah veriu e deri në Novi Pazar, Nish e Vranja. Në gjysmë të shekullit XVIII ndërroi drejtimi i synimit të dyndjes shqiptare tuj zdergjë ma kah Maqedonia". Fatkeqësisht edhe në këtë libër kemi ndikim të literaturës shoviniste serbe.

Po si qëndron e vërteta:

Noel Malkolmi në "Kosova një histori e shkurtër", (Londër, 1998), na bënte të ditur se disfatën e koalicionit ballkanik në Kosovë më 1389-ën, serbët e kanë kthyer në mit kombëtar të periodizuar në tri faza teologjike paralele. Faza e parë e mitologjisë fetare kombëtare serbe bazohet në kronikat e murgjve. Kjo mbaron me kryqëzimin e Krishtit. Për serbët, pjesa kulminante e saj arrin kur knjaz Lazar Hrebeljanoviçi qëndron në mes të vojvodëve, duke parashikuar tradhtinë e Judës, që është dhëndri i tij Vuk Brankoviçi, i cili e tradhtoi të nesërmen, ndërsa knjaz Lazari, që ka zënë vendin e Krishtit, do ta ndëshkojë për humbjen e betejës në botën tjetër! Në të vërtetë, knjaz Lazari e kaloi tërë natën para betejës së Fushë-Kosovës, duke zbrazur gotat plot me verë. Këto kronika murgjish bien në kundërshtim me realitetin. Dhe ja ç‘ndodhi: knjazi ynë i shenjtëruar u kap rob nga osmanët dhe u ekzekutua me urdhër të sulltan Bajazitit. Martirizimi i tij mbaroi me thirrjen e tij drejtuar Zotit: "O Perëndi, prite në qiell shpirtin tim!" Kjo thirrje pasohet me prerjen e kokës së tij nga jeniçeri turk. Faza e dytë fillon me varrosjen e Krishtit (Lazar) dhe ikjen e popullit serb nga Kosova, në "velika Serbia" (Vojvodina), gjatë luftës austro-osmane. Kosova, në luftën austro-osmane luftoi krah për krah me austriakët kundër osmanëve. Ajo gjithmonë ka qenë e banuar në pjesën dërrmuese të saj nga popullsia shqiptare. Hans Dernschëamse (1494-1568) në "Ditar i një udhëtimi në Kostandinopojë dhe në Azinë e Vogël" (përgatitur dhe pajisur me shënime, sipas një dorëshkrimi të vjetër të gjetur në arkivin Fuqer nga Franz Babingeri, Mynhen dhe Laipzig, 1923, faqe 8), shkruan: "Deri afër Nishit flitet ende serbisht ose një gjuhë sllavone". Më tej, ky autor i këtij dorëshkrimi vëllimor, në faqen 258 pohon se: "Midis Bosnjës dhe Bullgarisë shtrihet Shqipëria, banorët e së cilës quhen arnautë nga turqit". Në Kosovë, para islamizimit shumica e popullsisë ishte ortodokse e jo katolike. Për këtë, dr. Muhamet Tërnava në "Popullsia e Kosovës gjatë shekullit XIV-XVI", (Prishtinë, 1995), i referohet Cirio Gianiell-it në "Dokumente të pabotuara të gjendjes së disa bashkësive katolike të Serbisë Jugore më 1578-ën, vëllimi II, Romë, 1953, ku thuhet: "Për sa u përket katolikëve të kohës paraturke, që ishin vendas, një relator i shekullit XVII shkruan: "Nga këta (katolikët-M.T.) pak vetë banonin në ato vende, ku aty sundonin princat e krishterë, sepse ata me të gjithë popullin kishin rënë në skizëm, që edhe sot vazhdon me këmbëngulje". (I.Zamputi, Relacione I,177). Nga përqindja e popullsisë së islamizuar po rendisim një shumicë qytetesh në fund të shekullit XVI: "Shkodra 100%, Peja 90%, Vushtria 80%, Elbasani 79%, Tetova 71%, Kërçova 65.5%, Kruja 63%, Berati dhe Prishtina 60%, Prizreni 55.9%, Dibra 51%, Tepelena 50%, Përmeti 41%, Novobërda 37%, Struga 24%, Vlora 23%, Korça dhe Trepça 21%, Belasica 16.1%, Janjeva 14% dhe Delvina 4% (F.Duka, "Feja, kultura dhe traditat islame ndër shqiptarët", Prishtinë, 1995). Vijojmë me popullsinë e disa qyteteve të Kosovës dhe të Maqedonisë. Për këtë citojmë Peter Bartl në "Kosova dhe Maqedonia në raportet kishtare": "Nga fillimi i shekullit XVIII deri në gjysmën e shekullit XIX, popullsia e Prizrenit, Gjakovës dhe Shkupit, ishte pothuajse ekskluzivisht myslimane dhe pjesa më e madhe e këtyre myslimanëve ishte me prejardhje shqiptare. Në Pejë, Novobërdë, Trepçe, Prokuplie, Kratovë, popullsia myslimane ishte padyshim mbizotëruese, por atje popullsia gjithashtu kishte një segment të fuqishëm ortodoks. Janjevo ishte në pjesën më të madhe ortodokse, por në atë vend edhe popullsia myslimane qe e konsiderueshme. Famullitë e Gurit, Shgjeçit, Zymit dhe Zogajt në Has afër Prizrenit, ishin pa mëdyshje katolike dhe shqiptare". Sipas "Relacione..." (I. Zamputi, vëll.I, f.339) "Shkupi është një qytet shumë i madh që, prej Stambollit e tutje, ka pak që ia kalojnë për madhësi. Banohet prej turqish, shumica e të cilëve janë shqiptarë me kombësi; të tjerët janë aziatikë". Ka me shumicë çdo gjë, është 2 ditë larg prej Selanikut. Ka aty hebrenj, serbë dhe pak grekë. Janë 15 familje katolike të cilat mbajnë një kapelan. Më 1638/1639 Shkupi numëronte 23000 shtëpi myslimane, 120 shtëpi çifute dhe 320 shtëpi skizmatike, (I. Zamputi, vepër e cituar, II, 174). Më 1641/1642 Shkupi kishte 22000 shtëpi myslimane, 200 shtëpi greke e serbe, si dhe 150 shtëpi çifute (I. Zamputi, II, faqe 262).

Për Kratovën, statistika e parë në dispozicionin tonë, marrë nga Zamputi, "Relacione..." II, 174, është ajo e 1638/1639. Në këtë kohë, ky qytet numëronte 38 shtëpi katolike, të gjitha të kombësisë shqiptare, 40 shtëpi çifute, 100 ortodokse, si dhe 300 shtëpi myslimane. Jovan Tomiçi në librin e tij "Shqiptarët në Serbinë e Vjetër dhe në Sanxhakun e Novi-Pazarit", (Paris, 1913), përshkruan edhe luftën austro-osmane, duke e paraqitur Kosovën të banuar tërësisht nga popullsia serbe, ndërsa në të vërtetë, ajo në atë kohë banohej në pjesën dërrmuese të saj nga popullsia shqiptare. Citojmë këtë autor: "Ushtritë aleate, të ndihmuara vetëm e vetëm nga serbët, nuk depërtuan në asnjë drejtim përtej kufijve të elementit serb. Më 1689-ën, perandorakët, (ushtria perandorake austriake - SH.D.) hyn në Sanxhak, në Kosovë, në krahinën e Pejës, të Gjakovës, të Prizrenit; ata zbritën në Lumë dhe gjatë Luginës së Vardarit. Në të gjitha këto drejtime serbët kryengritës, të lirë në lëvizjet e tyre në vendet që popullonte raca e tyre, përbënin pararojën e ushtrisë perandorake... Ata të gjithë pritën Pikolominin, si serbët katolikë dhe ortodoksë të vendeve të Prizrenit, po ashtu edhe serbët e islamizuar të këtij qyteti.

Ja çfarë na thonë dokumentet:

Në dokumentet e komandës austriake, në memorialin mbi Shqipërinë të datës 1 prill 1690 të gjeneral Marsiglit, anëtar i shtabit të ushtrisë austriake, në letrat e vikarit katolik të Shkupit, Thoma Raspasanit që zëvendësoi prijësin e kryengritësve shqiptarë, arkipeshkvin e Shqipërisë, Pjetër Bogdanin, dëshmohet se "Prizreni ishte kryeqyteti i Shqipërisë", se "Peja e Shkupi përfshiheshin në Shqipëri" se në viset e Kosovës flitej gjuha shqipe. Vetë perandori i Austrisë, Leopoldi I, theksonte se ushtritë e tij luftonin në Shqipëri (kur hynë në Kosovë) etj. (Arkivi i shtëpisë, oborrit dhe shtetit Vjenë, arkivi i luftës, dokumentet e betejës 1689) (Cituar nga Selami Pulaha "Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shekujve XV-XVI"). Në veprën "Historia e Turqisë", shkruar nga M.Knolles dhe vijuar prej të nderuarit Sir Paul Ricaut, (vëllimi II, Londër, 1701), flitet për përfshirjen e shqiptarëve në luftën austro-osmane pa dallim feje. Në faqen 323 të këtij vëllimi, autorët vënë në dukje se kryekomandanti i ushtrisë austriake, konti Pikolomini, takohet dhe pritet me nderime nga popullsia vendase në Prizren. Për këtë takim historik, këta autorë pohojnë: "Në këtë kohë, megjithëse ethet iu shtuan, Pikolomini vazhdoi marshimin e tij drejt Prizrenit, ku u takua me arkipeshkvin e Shqipërisë dhe Patrikun e Kelmendit. Ky përcillej nga 8000 arnautë, nga grekë të Shqipërisë, (ortodoksë shqiptarë - Sh.D.), turq (shqiptarë myslimanë - Sh.D.) dhe të krishterë të tjerë të këtij vendi. Këta deklaruan vendosmërinë e tyre, që të jetojnë dhe të vdesin me ta për çështjen e përbashkët kundër turqve pse ishin betuar për besnikëri" (te perandori Leopold - Sh.D.). Edhe Jovan Radoniç në veprën e sipërcituar dëshmon se Pikolomini u prit në Prizren prej 6000 shqiptarëve. Paragrafi i përkthyer nga origjinali shoqërohet nga nëntitulli "Arnautët rikthehen në Perandori". Ky takim për të cilin folëm më sipër, u zhvillua më 6 nëntor 1689 në Prizren. Kryepeshkop i Shqipërisë dhe Patrik i Kelmendit ishte Pjetër Bogdani, ndërsa Patriku serb (Arseni III), është vërtetuar katërcipërisht se nuk ka qenë në Prizren. Në "Monumente të vjetra të sllavëve të jugut" të Augusto Theiner" (vëllimi II, botim i Akademisë së Shkencave të Sllavëve të Jugut, Zagreb, 1875, fq. 212-214. Ç VIII), jepet "Relacioni mbi gjendjen e kongregacionit dhe misionet e Propaganda Fides", të shkruara për Papën Inocent XI nga monsinjor Urbano Cerri (Çeri), rreth vitit 1680. Në këtë dokument thuhet se në Peshkopatën e Shkodrës përfshihen popujt e Kelmendit që varen nga Pjetër Bogdani. Termi "popujt e Kelmendit" nënkupton tërë Malësinë e Madhe, e cila atëherë përbëhej nga Kelmendi, Hoti, Gruda, Trieshi, Kastrati, Bërda, Kuçi, Pulabardhi, Piperi, Vasojeviçi. Një pjesë e tyre ishin ortodoksë shqiptarë, që sot janë sllavizuar. Ata që ngelën të krishterë të ritit katolik, ose u konvertuan në myslimanë, ose mbetën shqiptarë. Arkipeshkvi i Shqipërisë, Pjetër Bogdani, hartoi një projekt për çlirimin e atdheut dhe u përpoq që të merrej vesh me austriakët për realizimin e tij. "Konti Pikolomini u prit nga arkipeshkvi dhe Patriku i Prizrenit", referon më 29 nëntor 1689 ambasadori i Francës në Vjenë. Me Pikolominin u përfundua një marrëveshje. Traktati bënte fjalë që vullnetarët vendorë, si dhe gjysma e banorëve kryengritës, do të organizoheshin sipas mënyrës austriake, ndërsa gjysma tjetër do të rrinte në shtëpi, porse të gjithë do të gjendeshin nën mbrojtjen e perandorit. ("Kosova një histori e shkurtër", Noel Malkolm, 1998, Londër). Për sa i përket titullit të P.Bogdanit "Arkipeshkv i Shqipërisë", përmendur nga shumica e autorëve bashkëkohorë, ai nuk është gjë tjetër veçse titulli Arkipeshkvi i Shkupit, titull që ai e gëzoi deri në ditën e vdekjes, 6 dhjetor 1689. (Pjetër Bogdani, "Letra dhe dokumente", Odette Marquette, Shkodër, 1997). P.Bogdani në atë kohë kryesonte edhe vëllazëri të krishterë ortodokse shqiptare.

Vijon në numrin e ardhëshëm

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›