Mes nudove të kuqe
Mbi ca shkallë të një shtëpie të vjetër, një grua me shaminë e bardhë mbi flokë, në duar mban shtizat ku po thur një çorape. Në telat e hollë vendosur shumë pranë parvazit të dritares janë varur dantellat. Kjo është "shitësja e dantellave", një punë e realizuar nga piktori Artur Muharremi në vitin 2005. Në këtë tablo ku dominon e verdha, portreti i kësaj shitëseje zbërthehet jo vetëm nëpërmjet ngjyrave, por dhe në mënyrën sesi piktori ka ravijëzuar fytyrën e saj. Ca rrudha që varen mbi buzë, xhaketa, përparësja deri te pantoflat. Një pikturë që pasi e ke parë njëherë, ke dëshirë ta rishohësh, jo vetëm për të ndjerë aromën e dantellave, por dhe frymën e kësaj gruaje. Ka diçka përtej çdo pikture realizuar nga Muharremi, diçka që ti kërkon ta zbulosh përmes ca detajeve që vijnë edhe në formën e ngjyrave. Ka vetëm pak ditë që piktori ka realizuar një katalog të plotë me punët e tij më të mira ndër vite, nën kujdesin e "Mezuraj Muze", i cili do të prezantohet sot në ambientet e këtij muzeu. Kjo iniciativë për të dokumentuar veprat më të mira të një artisti që ka arritur një stad në karrierën e tij si piktor është pozitive, pasi zakonisht mungojnë katalogë të këtyre përmasave që do të mund të tregonin në një formë punët e artistëve të ndryshëm. Por Muharremi ka mundur ta realizojë këtë. Duke shfletuar fletët e këtij katalogu, ne mund të shohim perceptimet e artistit për pikturën, çfarë e trishton apo çfarë e bën të bëhet mirë atë.
Kur flet për Muharremin është e pamundur të mos ndalesh te cikli që është tepër i dukshëm në punët e tij, ai i nudove. Kjo gjini që duket ndonjëherë si tepër e lehtë për piktorët, në vetvete mban gjithë filozofinë e një pikture. "Nudoja nuk është e thjeshtë", thonë sot kritikët e pikturës në botë. Dhe kanë të drejtë. Pasi dhe vetë trupi nuk është i lehtë për t‘u kuptuar. Brenda tij fshihen gjithë qelizat e inkoshiencës sonë, ato që ne i mbrojmë aq shumë për të mos na i parë të tjerët. Por Muharremi ka ditur të zbulojë çdo fije të këtyre qelizave, që herë-herë na ngjasojnë të bukura në trupat e hedhur në pikturë.
Linda quhet një nga vajzat që ka pranuar të pozojë nudo para tij. Ka flokë të gjatë, dhe një trup të bukur dhe sytë e zinj plot shpresë. Ajo qëndron e ulur mbi çarçafët e bardhë dhe duket e qetë. Ndryshe nga Linda, një tjetër nudo që qëndron e ulur mbi një divan tregon trishtimin e saj. Me duart e vendosur mbi flokë ajo mbart një shqetësim që përcillet nëpërmjet të verdhës që Muharremi e vendos aq butësisht.
Interesant është dhe sfondi i kuq që Muharremi i ka dhënë një cikli çudosh, të cilat i quan "Nudot e kuqe". Te kjo formë e pikturës Muharremi ka ditur të vendosë të gjitha gjendjet. Të ndjerit e dashuruar, apo dhe e braktisur (e cila na shfaqet në një nudo të shtrirë me sytë e përqendruar diku, realizuar më 2005-ën).
Moria e tablove që na shfaqin nudo në punët e tij janë të panumërta, dhe stili me të cilin ky piktor i ka realizuar ato është i ndjerë. Në fakt, të ndjera janë të gjitha punët në këtë katalog. Perceptimet e Muharremit për kohën dhe gjendjet që jetojmë janë aq të drejta me ato që ndjen secili prej nesh. Aq sa të duket se ai ka vjedhur një çast bisede që ti ke bërë me veten dhe e ka ngjizur në pikturë.
Ndoshta një nga njohësit më të mirë të pikturës së Muharremit, dr. Moikom Zeqo, ka të drejtë kur shkruan se "për piktorin vizatimi është sekreti i tij genium i krijimit". "Është mrekullia e shikimit dhe e rishikimit të një bote ku njeriu është çdo gjë, ku të gjitha lëvizjet e trupit të tij janë njëherësh edhe kumte grafike, analitike e simbolike të shpirtit njerëzor. Vizatimi nuk i sfidon ngjyrat, e kjo vlen edhe për të anasjellën: Edhe ngjyrat nuk e sfidojnë vizatimin. Mes vizatimit dhe ngjyrave ka vërtet një kufi, njësoj si dallimshmëria delikate midis formës dhe përmbajtjes, por këtë raport të ndërlikuar, që në thelb është krijues tejet i lëvizshëm e me pjellori të pafundme e të pashtershme, e ka çdo lloj strukturimi, jo vetëm në art, por edhe në shkencë. Duket se Artur Muharremi e ka kuptuar këtë sekret si pak kush tjetër. Ai i kthehet e i rikthehet vazhdimisht këtij sekreti, sepse prej tij e ka origjinalitetin. Dhe ai e kërkon origjinalitetin sepse pa të nuk mund të ishte i spikatshëm, nuk mund të afirmonte potencialet e tij dhe nuk mund të mbijetonte si artist", shkruan Zeqo në parathënien e këtij katalogu.
Janë një mori interpretimesh që një pikturë të ngjall kur ti e sheh atë. Përballë një pikture mund të thuash çdo gjë. Por në autoportretin e tij, vendosur në hyrje të këtij katalogu, Muharremi shkruan: "...Për të ekzekutuar të dënuarin me vdekje nuk nevojitet më tepër se një çast, por për të ardhur te ky çast duhet të kalohet në një procedurë të tërë hetimesh, verifikimesh, hamendësirash, faktesh..., etj., etj.".
Artur Muharremi ka lindur më 2 qershor 1958, në qytetin e Pogradecit. Në vitin 1983 mbaron studimet për pikturë në Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën e skenografisë. Pas kësaj emërohet regjisor-piktor në kinostudion "Shqipëria e Re", ku punon deri në fillimet e viteve ‘90-të. Pas largimit për në Greqi, Muharremi do të përqendrohet më tepër te piktura, duke hapur dhe një studio të vetën në Athinë. Njihet dhe zë miqësi me një nga piktorët e rëndësishëm bashkëkohorë grekë, Pavlo Samios me Lon Vorre, një nga koleksionistët më të mëdhenj, pronar i "ION Vorre" etj. Kontaktet me këta njerëz patën ndikimin e vet mbi pikturën e Artur Muharremit për artin. Piktura është dashuria që pulson ende brenda tij, gjë e cila duket dhe në morinë e punëve që ai ka realizuar këto vite.