E Diel, 1 Nëntor 2026

Sllovakia misterioze, udhëtim në një tokë të Lindjes

Ndonjëherë shkoj në Sllovaki për të blerë salsiçe. Për të arritur në kufi të Besherov duhet të bëj rreth 15 kilometra, më pas deri në Zborov 9 të tjera dhe në fund edhe 9 të tjera për në Bardejov. Supermarketi më i afërt ndodhet në Bardejov. Për të arritur në Poloni duhet të bësh 60 kilometra. Zakonisht mundohem t‘i shmang gjithmonë supermarketet e Polonisë, jo për ndonjë arsye të veçantë, por thjesht sepse i kam frikë. Kur kam miq në shtëpi, blej salsiçe pikante dhe blej ndonjë shishe verë, e cila nuk ka ndonjë shije kushedi se çfarë, por duke i shoqëruar me salsiçet mund të pihen edhe tri shishe gjatë një nate. Në çdo rast, unë e pi sikur të isha një patriot sllovak. Duke pirë shijoj edhe salsiçet pikante, djathin e bardhë dhe sallatën.

Ndoshta nëse nuk do të kisha Sllovakinë matanë kufirit nuk do të isha në gjendje të jetoja. Sllovakia më bën të ndihem mirë, është jetë, një alternativë më shumë. Kur jam i dërrmuar nga trishtimi dhe mërzia, apo kur vendi im bëhet "i padurueshëm" dhe i bezdisshëm, i hipi makinës dhe shkoj në Sllovaki.

Herën e parë që kam kaluar kufirin e vendit tim ka qenë Sllovakia. Isha me disa miq, sepse zhvillohej një festim popullor në Bardejov-in mesjetar, 15 kilometra nga kufiri. Gjatë asaj feste pihej birrë "Zloty Bazant" dhe "Smadny Mnich". Gjithashtu, nga ato rubinete të arta rridhte edhe verë, verë e bardhë e zonës së Kositës. Ky ishte sinjali që e kuptova se ndodhesha vërtet jashtë vendit tim. Më ndodhi të shihja njerëz të moshuar, pensionistë të veshur me rroba të vjetra e të holluara. Ata ngjanin me pensionistët e pjesës meridionale dhe të varfër të Italisë, grekët, dalmatët. Të paktën kështu i imagjinoja. Sot kam hequr pak dorë nga këto paragjykime romantike, por nuk është se i kam shkulur rrënjësisht nga kujtesa ime, sepse mjafton të përshkosh Karpatet dhe gjithçka ndryshon. Ngjyrat janë më të qarta, bën më ngrohtë, lumenjtë rrjedhin drejt Detit të Zi. Fshatrat duken si qytete të vogla. Mbi kodra zbardhin gërmadhat e kështjellave, ku më parë jetonin zotërinjtë hungarezë që shtypnin qytetarët sllovakë dhe për t‘u dëfryer rrëmbenin vajzat më të bukura. Sot zotërinjtë hungarezë nuk janë më, por mjafton të vish në Kositë për të dëgjuar atë që flitet nëpër rrugë. Në Kositë lindi edhe shkrimtari dhe gazetari hungarez Sándor Márai. Në "Rrëfimet e një borgjezi", ndoshta libri i tij më i famshëm përshkruan në mënyrë të detajuar fëmijërinë e tij në atë qytet, topografinë dhe banorët e saj. Edhe për këtë arsye, një udhëtim në Sllovaki është njëlloj si një ekspeditë arkeologjike ose gjuetie. Shkon për të kërkuar diçka që nuk ekziston më, sepse ka qenë e fshehur mirë, ose i është modifikuar domethënia. Sllovakia është vendi i duhur për t‘u eksploruar: nën petkun e asaj që shohim shfaqet diçka krejt ndryshe dhe ajo që na shfaqet nuk është aspak ajo që duhet parë.

Andy Warhol, kur e pyesnin se nga vinte, ai dhe familja e tij përgjigjeshin: "Nga asnjë vend". Warhol është padyshim sllovaku më i njohur në të gjithë botën. Sigurisht është edhe amerikan, por prindërit e tij ishin ende çekosllovakë, nga pjesa sllovake e republikës së paraluftës. Në të vërtetë ishin nga Ukraina, vinin nga fshati grek-katolik i Mikovit, pranë kufirit polak në lartësinë e Jasliski-it. Pak më përtej, në qytezën Medzilaborce, është ndërtuar një muze kushtuar artistit dhe familjes së tij. Më pëlqen ta vizitoj herë pas here këtë vend. Në majën e një kodre zbardhon një kishë ortodokse. Në kryqëzim ka dy rrugë, njëra quhet "Andy Warhol"; këtu gjendet edhe një pension i cili mban të njëjtin emër. Ndihet në ajër që këtu është fundi, kufiri dhe mund të kthesh vetëm pas. Disa fëmijë romë lozin me njëri-tjetrin nëpër rrugë, duke i dhënë paksa gjallëri qytetit. Muzeu është ndërtuar anash kishës. Kur kambanat ndonjëherë bien, pranë muzeut shfaqen gra të vjetra me shami në kokë dhe funde të një gjysmë shekulli më parë, të cilat shkojnë në meshë. Vite më parë më ka ndodhur të shoh dokumentarin e Warhol. Dokumentari tregonte për këto vende dhe atë që banorët e tij imagjinonin për Andy Warhol. Me muzeun në sfond, shfaqet një vajzë rome e tërbuar nga inati që ulëret, duke iu drejtuar kamerës: "Oh, me gjithë Warhol-in tuaj!" - dhe më pas ajo tregon se romët nuk kanë të drejtë të hyjnë në muze, a thua se brenda ka pafund ar e argjend. Në hapësirën e madhe gjysmë të zbrazur janë shfaqur disa kujtime të familjes, fotografi dhe kopje dokumentesh. Në dalje të qytezës, nga ana e kufirit polak, të bie në sy një tabelë, mbi të cilën shkruhet: "Medzilaborce - qyteti i artit pop". Për mua Medzilaborce dhe e gjithë Sllovakia verilindore nuk kanë absolutisht lidhje me artin pop. Kjo është më tepër një tokë e surrealizmit delikat.

Është mirë të kesh afër një vend si Sllovakia. Është mirë të kesh një "vend rezervë", ku gjithçka që kërkon e gjen menjëherë. Mund të shkosh me makinë, mjaftosh të kesh një kartë identiteti. Gjërat më të nevojshme për të jetuar janë mjaft të ngjashme edhe aty, përfshi edhe gjuhën. Të jesh një qytetar i vendit tënd është një detyrë e vështirë, është gjak, dhimbje dhe lot. Për këtë arsye është mirë të kesh një vend tjetër 20 minuta larg. Nëse kam menduar ndonjëherë të ndërroj nënshtetësi, e vetmja që më ka ardhur ndërmend ka qenë ajo sllovake. Një vend i vogël ka më pak turpe dhe probleme. Sllovakia është e sigurt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›