Procedohen kreu i Hetimit Doganor e 5 punonjës, u kalua në Kapshticë një ngarkesë me dokumente false

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Drejtori i Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe dy specialistë për Hetimin Doganor janë proceduar penalisht me akuzën për shpërdorim detyre.
Drejtoria e Policisë së Korçës bën të ditur nëpërmjet një njoftimi zyrtar se fillimisht tre doganierët në Doganën e Kapshticës u vunë nën akuzë nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë Korçë pasi kanë falsifikuar dokumentet e regjistrimit të një ngarkese me mallra ushqimore.
Të tre doganierët me iniciale, V. T. , 49 vjeç dhe A. E. 39 vjeçe banues në Korçë si dhe E. G., 45 vjeç, banues në Tiranë nuk njoftuan organet kompetente, duke sjellë pasoja të rënda për hetimin e rastit.
Sipas policisë, këta tre punonjës më datë 15.04.2025, nuk kanë kryer praktikat doganore për kalimin e një kamioni që transportonte mallra ushqimore, duke e regjistruar këtë ngarkesë me dokumente të dyshuara si të falsifikuara.
Gjithashtu, po nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë Korçë, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për të njëjtën vepër penale “Shpërdorimi i detyrës”, edhe ndaj tre punonjësve të tjerë doganorë, shtetasve D. D., 38 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe G. T., 58 vjeç, dhe K. K., 26 vjeç, të dy banues në Tiranë, me detyrë specialistë për Hetimin Doganor në të njëjtën drejtori.
Procedimi penal ndaj tyre filloi pasi, më datë 15.04.2025, rreth orës 22:00, janë njoftuar për rastin e falsifikimit të dokumenteve, të konstatuar në afërsi të pikës kufitare të Kapshticës nga shërbimet e Antikontrabandës.
“Pavarësisht marrjes së këtij njoftimi, këta shtetas nuk kanë informuar Prokurorin e gatshëm apo strukturat për hetimin e krimeve pranë Policisë Korçë deri në orën 15:00 të datës 16.04.2025 (pas më shumë se 15 orësh), duke sjellë pasoja të rënda për hetimin e këtij rasti”, sqaron policia.