E Premte, 6 Nëntor 2026

Progres-raporti i KE, Meta: Rama shpiku ‘centimetrin e fundit’ si alibi për agoninë e qeverisjes, po përpiqet t’i marrë Veliajt me dhunë e shantazh të drejtën e firmës për bashkinë Tiranë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim prej tetorit të vitit 2024, e ka cilësuar progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, si ‘regres-raport’.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ka deklaruar se kryeministri Edi Rama huazoi nga opozita termin ‘kilometri i fundit’, për të shitur në publik sipas tij, ‘arritjet’ e renditura në progres-raport.

Meta akuzon qeverinë për dështime në funksionimin e shtetit të së drejtës, dobësimin e kontrollit parlamentar dhe cenimin e pavarësisë së drejtësisë.

Ai ngre shqetësime edhe për zgjedhjet, duke përmendur pretendimet për manipulime dhe mungesën e hetimeve për dosjet e Dibrës dhe Shijakut.

Meta kritikon gjithashtu administratën publike, duke pretenduar se Shqipëria nuk ka përfituar fonde nga Plani i Rritjes së Bashkimit Europian për shkak të problematikave në administratë.

Duke ironizuar shprehjen e Ramës për “kilometrin e fundit”, Meta shprehet se kryeministri ka shpikur edhe “centimetrin e fundit” për të fituar kohë në atë që ai e cilëson si agoninë e qeverisjes.

Në reagimin e tij, ish-presidenti rikthen në vëmendje edhe zgjedhjet vendore të vitit 2019, si dhe situatën në Bashkinë e Tiranës, ku akuzon Ramën për presion ndaj kryebashkiakut. Ai thekson se kryeministri Rama po përpiqet që t’i marrë me dhunë e shantazh Veliajt, të drejtën e firmës për Bashkinë e Tiranës para zgjedhjeve.

Në përfundim, Meta bën thirrje për t'i dhënë fund qeverisjes së Edi Ramës, duke pretenduar se ajo po e largon Shqipërinë nga standardet europiane.

Reagimi i Ilir Metës:

‘Centimetri i fundit’, si alibi e agonisë së pafundme

I pacipë, si kurrë më parë, dhe i shteruar edhe në fjalor, Edi Rama huazoi sot nga opozita edhe termin kilometri i fundit, për të shitur në publik “arritjet” e Progres-Raportit të fundit të Bashkimit Europian, që është vetëm një Regres-Raport i padiskutueshëm për cilindo, që ka njohuritë më sipërfaqësore të procesit të integrimit.

Me pak fjalë, Regres-Raporti i Komisionit Europian na dëshmon se shteti i së drejtës nuk funksionon aspak në realitet, por vetëm në letër.

Sepse Kuvendi ka humbur funksionin kontrollues dhe mbikqyrës ndaj Qeverisë (ekzekutivit) dhe opozitës i janë mohuar komisionet hetimore parlamentare, që ia garanton Kushtetuta.

Po kështu, në Shqipëri, Edi Rama është garanti i drejtësisë me standard të dyfishta, ose garant i pavarësisë para ligjit si edhe kontrollues (shantazhues) i sistemit të drejtësisë.

Sigurisht, shkrirja e partisë me shtetin vjen falë zgjedhjeve të pabarabarta edhe të manipuluara, të cilat mbeten të tilla si rezultat i mos-hetimeve të krimeve zgjedhore, që nga dosjet e Dibrës dhe Shijakut.

Ndërsa “progresin” e administratës publike e dëshmon fakti se Shqipëria ka përfituar zero fonde nga Plani i Rritjes së Bashkimit Europian për Shqipërinë, për shkak të paaftësisë të administratës patronazhiste, ku çdo vit qindra dhe mijëra drejtorë japin dorëheqjen në bllok me urdhër të Kryetarit të Partisë.

Edhe në fushën e mjedisit “progresi” është kaq i madh sa ka provokuar protestat më të mëdha në vend, që nga rënia e komunizmit sipas vetë Regres-Raportit.

Por i mësuar me shitjen e dështimeve në suksese, Edi Rama vazhdon monologun e tij bajat.

Por tani veç kilometrit të fundit, që i “vodhi” opozitës, shpiku edhe “centimetrin e fundit” si alibi për të fituar kohë për agoninë e pafundme ku ka zhytyr qeverisjen e vendit më të korruptuar në Europë.

Largqoftë të vazhdojë edhe 15 vite të tjera Kryeministër, se do të shpikë edhe “milimetrin e fundit”.

Ndaj asnjë iluzion për këtë dhunues publik të Kushtetutës, ligjit, të miturve, fëmijëve, gjimnazistëve, studentëve, mësuesve, pedagogëve dhe gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe patriot, të cilëve u ka mohuar prej vitesh mundësinë, që vendi i tyre të ishte anëtar i denjë i Bashkimit Europian.

Mirë historinë e Qarkut të Fierit mund ta kenë harruar disa se kanë kaluar 15 vite, po zgjedhjet e paligjshme dhe njëpartiake, që bëri ky në Qershor 2019, i harruat?

Po kërkesën zyrtare të Bundestagut atëherë që Shqipëria të bënte zgjedhje locale pluraliste, si kusht që në Tetor 2019 (pra atë vit) të çelte negociatat me BE, e keni harruar?

Po ç’i duhej integrimi këtij përpara tepsisë së pushtetit të pakufizuar.

Shikoni se ç’po i bën Kryebashkiakut të tij të Tiranës për t’i marrë me dhunë dhe shantazh të drejtën e firmës për Bashkinë (magazinën) e Tiranës para zgjedhjeve.

Ky shpikësi i “pasqyrës” dhe “dialogut”, që u tall edhe me vetë socialistët e 15 bashkive që i shkriu pabesisht me një të rënë të lapsit.

Ndaj është koha t’i japim fund agonisë së qeverisjes së Edi Ramës dhe humnerës, që na largon nga standardet europiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›