Projekt për afrimin e të rinjve me librin dhe promovimin e kulturës letrare në 10 shkolla të qarkut Dibër

TIRANË, 1 tetor /ATSH/ Afrimi i të rinjve me librin dhe promovimi i kulturës letrare ishte në fokus të aktivitetit të organizuar së fundmi në qarkun e Dibrës, ku u përfshinë 10 shkolla dhe rreth 200 nxënës.
Së bashku me mësuesit, drejtuesit dhe institucionet lokale, nxënësit ishin pjesë e një cikli aktivitetesh, gjatë të cilave u angazhuan në diskutime mbi librin, letërsinë dhe autorët shqiptarë e të huaj.
Në këtë kuadër, u prezantuan edhe autorë lokalë ndërsa disa shkolla pasuruan bibliotekat e tyre me libra të shkruar nga shkrimtarë të zonës. Aktiviteti u zhvillua nga POEC (Pathways to Opportunity & Equality Center), me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Krijimet letrare të nxënësve u redaktuan dhe u kthyen në një botim, i cili do të qëndrojë në bibliotekat e shkollave të zonës, për ta dhe për brezat që do të vijnë.
Me këtë rast u zhvillua edhe konkursi letrar mes nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, me pjesëmarrjen e nxënësve, mësuesve dhe jurisë, ku pjesë ishte edhe arsimtarja Nafije Jella, Qytetare Nderi si dhe mbështetëse e talenteve të reja në zonat rurale.
1 nga 10/r.e/