E Hënë, 2 Nëntor 2026

Projekti “Smart City”, kryeministri: Do rritet siguria në mënyrë eksponenciale, lufta kundër kriminalitetit

Projekti “Smart City” po ecën me hapa të shpejtë, deklaroi të hënën kryeministri Edi Rama, dhe do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e sigurisë publike.

Qeveria shqiptare prezantoi projektin e Identitetit Digjital, një nismë që synon të transformojë mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me institucionet publike, biznesin dhe njëri-tjetrin. Një rol këtu do të luajë edhe monitorimi i sistemit publik, trafikut, i shkollave dhe të tjera, duke filluar nga Tirana dhe më tej në qytetet më të vogla.

“Do të na ndihmojë të kemi një pamje shumë më mbështetëse për sa i përket mbledhjes të të dhënave në raport me ligjshmërinë, rendin publik, luftën kundër kriminalitetit, dhe nga ana tjetër do të na ndihmojë të kemi një pamje në kohë reale të ecurisë së jetës së përditshme në shkolla, ku falë këtij projekti do të rritet në mënyrë eksponenciale siguria dhe mundësia e prindërve për të ndjekur të gjithë vijën e sjelljes të fëmijëve në shkollë, jo thjesht në aspektin e momenteve kritike, por në tërësinë e vet, gjë që do të ndikojë jashtë mase në frekuentimin e shkollës, në uljen e fenomenit shqetësues të bullizmit dhe patjetër do të ndikojë jashtë mase edhe në aspektin e angazhimit të vetë mësuesve,” tha kryeministri.

Programi i identitetit digjital, siguroi Rama, pritet ta çojë Shqipërinë në një nivel tjetër në fund të dekadës.

“Besoj shumë që me këto projekte dhe me programin e identitetit digjital, i cili është shumë më kompleks sesa duket në këtë paraqitje kuptimplotë që na u bë ne do të jemi në gjendje që ta çojmë Shqipërinë 2030 në një nivel krejt tjetër nga i sotmi dhe ta fuqizojmë në mënyrë gati të paimagjinueshme qytetarin, që t’ia lehtësojmë në mënyrë të paimagjinueshme sot jetën e tij të përditshme dhe t’i bëjmë të mundura me shumë më pak konsum kohe, energjie, dhe me shumë më pak stres, ndërveprime që përndryshe kanë nevojë për më tepër energji, kohë, dhe që sjellin me vete edhe stresin përkatës,” u shpreh kreu i qeverisë.

Identiteti digjital pritet të jetë pjesë e Portofolit Evropian të Identitetit Digjital deri në vitin 2027. Zbatimi i projektit i është besuar edhe kompanisë publike IdentiTek, dhe partnerëve.

“[IdentiTek] po provon dita-ditës sesi një kompani publike mund t’i zërë vendin një kompanie private, e cila deri dje bënte shërbimin e publikut me karta identiteti, dhe t’ia zërë vendin duke qenë më e lirë në çmim, më eficiente në cilësinë e shërbimit dhe mbi të gjitha shumë më inovative në shërbim të publikut dhe të së nesërmes së vendit. Ne kemi një besim të madh te potenciali i kësaj kompanie dhe kemi një ambicie të madhe për këtë kompani,” tha Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›