E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti në Zvërnec, Rama: Investitorët dy bashkëpronarë të kompanisë “Power Holding” nga Katari

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se projekti në Zvërnec po shoqërohet me dezinformim dhe manipulim, ndërsa sqaroi se leja e dhënë deri tani lidhet vetëm me studimet mjedisore dhe jo me ndërtimin e projektit.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, në kryesinë e Kuvendit, duke folur për projektin në Zvërnec dhe debatet e ditëve të fundit, Rama bëri të ditur se Këshilli Kombëtar i Territorit ka kërkuar ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional për të siguruar zbatimin e kushteve dhe kritereve të zhvillimit brenda zonës së mbrojtur.

“Këshilli Kombëtar i Territorit ka kërkuar ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional për të siguruar zbatimin e kushteve dhe kritereve të zhvillimit brenda zonës së mbrojtur. Leja e infrastrukturës në prill 2026 është dhënë për realizimin e rrugëkalimeve të nevojshme për vendosjen e pajisjeve të përkohshme që do të përdoren për studimin e biodiversitetit të ujit dhe lagunës. E kuptoni tani?”, tha Rama.

Sipas tij, rrugëkalimet janë të nevojshme vetëm për vendosjen e pajisjeve të studimit të biodiversitetit, pasi paralelisht me arkitektët po punon edhe një studio prestigjioze mjedisore.

“Domethënë ka nevojë për rrugëkalime për të vendosur pajisje që do të bëjnë studimin e biodiversitetit të ujit dhe lagunës, sepse siç thashë paralelisht me arkitektët punon një studio prestigjioze e mjedisit dhe për këtë arsye u dha leja, u bë rrethimi dhe makineritë u morën me gurë, pa kuptuar çfarë po ndodh dhe për çfarë po bëhet”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se pronat objekt zhvillimi janë private dhe sipas dokumentacionit përfshijnë vetëm prona private.

“Pasuritë objekt zhvillimi janë prona private sipas dokumentacionit. Pasuritë objekt zhvillimi përfshijnë vetëm prona private. Të gjitha rezultojnë në pronësi të Albania Land Development, ndërsa struktura e pronësisë së shoqërisë ka ortak të vetëm shoqërinë Sazan Holding”, u shpreh Rama.

Ai reagoi edhe ndaj pretendimeve për përfshirje izraelite në projekt dhe përdorimin e çështjes së Gazës në debat.

“Tani edhe një herë, një çmenduri totale ajo futja e urrejtjes për hebrenjtë dhe shfrytëzimi i dhimbjes së Gazës nga ata që i thonë vetes myslimanë por janë pa din dhe iman. Duke iu thënë shqiptarëve se po vijnë izraelitët të marrin tokën”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi se investitorët janë pjesë e një grupi të madh nga Katari.

“Ju thashë që aty janë ata që dinë dhe janë dy bashkëpronarët e kompanisë “Power Holding” nga Katari, një nga fuqitë më të mëdha të Lindjes së Mesme, një holding që zotëron kompani në fusha të ndryshme dhe që portofolin e turizmit e kanë ndër më të shkëlqyerit në botë. Futuni e klikoni powerholding.com, shkoni te kompania Assets, që është pjesë e regjistruar dhe do të shikoni se kush po vjen në Shqipëri “të shkatërrojë mjedisin, të vrasë pelikanët dhe të sjellë palestinezë””, deklaroi Rama.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›