Deklarata e Ministrisë së Jashtme greke, Rama: Nuk ishte akt dhune shtetërore, siç ndodh me të burgosurit shqiptarë në Greqi

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Duke komentuar sot pretendimet për pronësinë mbi territorin në Zvërnec ku parashikohet të realizohet një projekt zhvillimor dhe deklaratat e bëra nga pala greke, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “për herë të parë dje dëgjova se aty paska një popullsi homogjene greke dhe këtë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë më parë. Ndoshta ngaqë jam injorant dhe nuk i di shumë gjëra”.
“U mahnita edhe nga deklarata e Ministrisë së Jashtme të qeverisë greke se ishte një akt dhune. Por nuk ishte një akt dhune shtetërore siç ndodh, për shembull, me shqiptarët në burgjet e Greqisë, ose siç ka ndodhur me parë me shqiptarët në rrugët e Greqisë. Ishte një akt dhune nga një grup rojash private dhe që të ngrihet shteti e të nënvizojë etninë e protestuesve është një gjë që nuk i shërben marrëdhënieve tona, të cilat janë në ditët e tyre më të mira”, deklaroi Rama.
Kryeministri u shpreh se “pretendimet janë legjitime, por ato zgjidhen në gjykata, sepse titujt e pronësisë janë baza e çdo veprimtarie dhe jo pretendimet”.
“Sikurse ndodhi edhe atje lart në Palasë, toka ishte e blerë nga pronarët që kishin dokumentacionin përkatës, ndërsa të tjerë ishin pretendues. Por vendi nuk mund të zhvillohet nëse mbetet pezull mes titujve të pronësisë dhe pretendimeve, pas gjithë katrahurës që kemi trashëguar, për fat të keq”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se “e drejta për të protestuar nuk vihet në diskutim në asnjë mënyrë dhe është një e drejtë që ne e kemi mbrojtur që nga dita e parë, edhe me koston që në disa raste të kemi pasur dëmtime të forcave të policisë”.
Sipas tij, “sulmet politike mbi projektin, qoftë nga forca të brendshme që predikojnë kthimin pas apo ushqejnë urrejtje ndaj shteteve të tjera, qoftë nga forca të jashtme që nuk e duan këtë projekt, janë të kuptueshme. Nuk e duan, sepse kjo është konkurrencë. Ne kemi hyrë në një territor krejt ndryshe nga ai ku kemi qenë më parë, sepse ky projekt jo vetëm ka ngritur vëmendjen globale ndaj Shqipërisë, por me realizimin e tij e ngre Shqipërinë në një tjetër nivel”.
Kryeministri dënoi gjithashtu sjelljen e kompanisë private të sigurisë dhe reagimin e policisë vendore gjatë incidentit.
“Natyrisht që sjellja e kompanisë së sigurisë ishte e neveritshme dhe jo më pak e neveritshme ishte edhe sjellja e policisë vendore”, u shpreh Rama. /j.p/r.e/