“Java e Administratës Publike”, Pirdeni: Gati për sfidat e digjitalizimit, transparencës dhe shërbimeve moderne

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ “Java e Administratës Publike 2025, Edicioni II” solli në fokus forcimin e aftësive të administratës publike përmes një aktiviteti të organizuar në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike kushtuar digjitalizimit të procesit të Vlerësimit të Nevojave për Trajnim.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni ndau në rrjetet sociale momente nga ky aktivitet, teksa theksoi se “nevojat për trajnim në administratë do të mblidhen nga ASPA përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë digjital me të gjitha ministritë”.
“Bashkërisht po rrisim eficiencën e planifikimit të aftësimit të administratës publike për qenë gati për sfidat e digjitalizimit, transparencës dhe shërbimeve moderne”, tha Pirdeni.
“Java e Administratës Publike 2025, Edicioni II” mbylli siparin me eventin “Prokurim që forcon besim: Nga nevoja në certifikim”, zhvilluar në bashkëpunim me DAP, ASPA dhe Agjencinë e Prokurimit Publik.
Në vëmendje ishte rritja e integritetit dhe profesionalizmit në fushën e prokurimit publik, përmes procesit të trajnimit dhe testimit, që u finalizua me shpërndarjen e certifikatave për punonjësit e prokurimit publik.
Më 1 korrik nisi “Java e Administratës Publike 2025 – Edicioni II”, e organizuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, gjatë të cilës u zhvilluan një seri aktivitetesh shumëdimensionale dhe ndërvepruese për angazhim të hapur, reflektim dhe dialog vizionar duke nxitur mendim kritik në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.
“Java e Administratës Publike 2025, Edicioni II” u hap me forumin “Inteligjenca Artificiale dhe Transformimi Digjital i Shtetit”, ku u prezantua marrëveshja e bashkëpunimit me Institutin Tony Blair për Ndryshim Global dhe organizatën Apolitical. Ky bashkëpunim synon trajnimin e mbi 600 punonjësve të administratës publike në përdorimin e Inteligjencës Artificiale, me fokus në aplikimin praktik të saj në shërbim të qytetarëve dhe rritjen e efikasitetit institucional.
1 nga 5/k.s/j.p/