Qeveria miraton strukturën e re të pagave për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, ja kategoritë që përfitojnë shtesa deri në 150 mijë lekë

Këshilli i Ministrave ka miratuar strukturën e re dhe nivelet e pagave për nëpunësit dhe punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (DSHQ).
Vendimi i ri, i propozuar nga Ministri i Financave, përcakton jo vetëm kategorizimin e pagave bazë në përputhje me hierarkinë e administratës publike, por sanksionon edhe shtesa të konsiderueshme financiare për natyrë të veçantë pune.
Sipas vendimit të zbardhur, pagat bruto mujore do të përfshijnë pagën për pozicion, vjetërsinë në punë dhe kualifikimet, të cilat unifikohen me ato të administratës shtetërore.
Megjithatë, risia qëndron tek “shtesa për kushte pune”, e cila varion nga 5,000 lekë deri në 150,000 lekë në muaj, në varësi të pozicionit.
Kush përfiton më shumë?
Shtesën më të lartë e merr titullari i institucionit. Sipas pikës 4 të vendimit, kreu i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare do të përfitojë një shtesë mujore prej 150,000 lekësh mbi pagën bazë.
Nivelet e tjera të shtesave për kushte pune ndahen si më poshtë:
50,000 lekë/muaj- Shefi i sektorit të shërbimeve të përgjithshme në Kryeministri.
40,000 lekë/muaj- drejtorët e drejtorive kyçe (Menaxhimi i Godinave Shtetërore, Udhëtimet dhe Akomodimi, Eventet dhe Trajtimi i Personaliteteve).
35,000 lekë/muaj- Shefat e sektorëve teknikë dhe operativë (përfshirë sektorët e udhëtimeve, akomodimeve, projektimit, mirëmbajtjes, godinave qeveritare dhe trajtimit të personaliteteve).
30,000 lekë/muaj- Specialistët e fushave specifike si inxhinierët, arkitektët (interior design dhe projektues), specialistët e restaurimit, logjistikës dhe organizimit.
25,000 lekë/muaj- Specialistët në sektorin e godinave qeveritare.
5,000 lekë/muaj- Specialistët e arkivit dhe protokollit.
Qeveria ka përcaktuar se efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i kësaj strukture të re pagash nuk do të jenë të menjëhershme, por do të përballohen nga buxheti i miratuar për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare për vitin 2026.
/rtsh.al/