RIGË – Letonia zgjat regjimin e përforcuar të mbikëqyrjes kufitare

RIGË, 25 qershor /ATSH-DPA/- Letonia do të zgjasë mbrojtjen e shtuar të kufirit të saj me Bjellorusinë fqinje deri në fund të vitit për arsye sigurie.
Ministria e Brendshme tha sot se vendimi u nxit nga numri i vazhdueshëm joproporcional i përpjekjeve të kalimeve të paligjshme të kufirit.
Sipas deklaratës, më shumë se 5 500 emigrantë janë penguar të kalojnë kufirin nga vendi fqinj – në shtetin anëtar të BE-së dhe NATO-s, këtë vit.
“Kjo do të thotë se presioni mbi kufirin e jashtëm të BE-së mbetet i lartë”, thuhet në deklaratë.
Rregullorja speciale, e cila ishte zgjatur disa herë dhe pritej të përfundonte në fund të muajit, tani do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2025.
Kjo u jep rojeve kufitare letoneze kompetenca të mëtejshme në gjashtë zona në lindje të shtetit baltik.
Në të njëjtën kohë, puna në infrastrukturën kufitare do të vazhdojë. Letonia ndan një kufi me aleatin e ngushtë të Rusisë, Bjellorusinë, në lindje, që shtrihet në rreth 172 kilometra.
Letonia, së bashku me Poloninë dhe Lituaninë, akuzon udhëheqësin bjellorus Aleksandër Lukashenko për organizimin e dërgimit të emigrantëve në kufirin e jashtëm të BE-së me qëllim destabilizimin e bllokut dhe minimin e sigurisë.
Qeveria në Rigë ka ngritur një gardh përgjatë kufirit me Bjellorusinë, i cili është dëmtuar vazhdimisht gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin ilegalisht.
Ministria e Brendshme tha se infrastrukturë shtesë do të instalohet përgjatë kufirit deri në fund të vitit 2026. //a.i/