E Diel, 1 Nëntor 2026

Juventusi humbet 1,4 milionë tifozë

Juventusi ka humbur 1,4 milionë tifozë në dy vitet e fundit. Përfundimi ka ardhur pas një studimi të "Stage Up-Ipsos", sipas të cilit numri i mbështetësve bardhezinj ka rënë nga afro 8 milionë e gjysmë që ishin në sezonin 2004/05, në pothuajse 7 milionë në vitin e kaluar. Rritje të madhe ka pasur Milani: me +33 për qind. Tashmë kuqezinjtë numërojnë 4,83 milionë tifozë, pak më shumë se Interi (edhe zikaltërit kanë një rritje të ndjeshme të numrit të mbështetësve me 14 për qind). Bie Roma dhe Lacio.

"Calciopoli" dhe një sezon i luajtur në Serinë B ka dëmtuar imazhin, ka ndikuar në largimin e shumë kampionëve (duke bërë që skuadra të mos jetë më aq konkurruese sa në vitet e kaluara) dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në arkat e Juventusit. Por, skandali që pushtoi futbollin italian, ku i akuzuari kryesor ka qenë ish-drejtori i përgjithshëm bardhezi, Luçiano Moxhi, ka vazhduar të ndihet edhe në këto dy vitet e fundit. Skuadra më e dashur në Itali vazhdon të qëndrojë e tillë, por tashmë numri i tifozëve ka pësuar një rënie shumë të madhe. "Sportfans", një kërkim i organizuar nga "Stage Up e Ipsos", që është publikuar nga "Guerin Sportivo", ka zbuluar se në dy vitet e fundit klubi bardhezi ka humbur pothuajse 1 milion e gjysmë tifozë. Nga 8,42 milionë që numëroheshin në sezonin 2004/05, mbështetësit juventinë në Itali kanë zbritur në 7,03 milionë në edicionin 2006/07, duke shënuar një rënie prej 17 për qind. Megjithatë, diferenca nga klubet e tjera të mëdha në Serinë A vazhdon të jetë e madhe dhe për momentin duket se askush nuk mund të rivalizojë me skuadrën e drejtuar nga Ranieri. Në mënyrë surprizë në vendin e dytë ngjitet Milani, që ka qenë edhe klubi me rritjen më të madhe të numrit të mbështetësve. Surpriza nuk përbehet nga shifra, por nga fakti se kuqezinjtë kanë kaluar kushërinjtë-rivalë të Interit. Milanistët kanë pasur 33 për qind rritje, nëse krahasojmë me dy vite më parë dhe tashmë numërojnë 4,83 milionë tifozë. Ndërkohë, klubi i drejtuar nga Masimo Morati numëron 4,32 milionë mbështetës, edhe pse sipas statistikave ka pasur 14 për qind rritje. Kërkimi ka regjistruar edhe rritjen e tifozëve të disa skuadrave emergjente, si Fiorentina dhe Palermo. Ndërkohë, bie numri i tifozëve të Romës, Lacios e Kaljarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›