E Diel, 1 Nëntor 2026

RUMANI – Qeveria pro perëndimore rrëzohet nga një mocion mosbesimi

BUKURESHT, 5 maj /ATSH-DPA/ – Partitë opozitare rumune rrëzuan sot qeverinë konservatore pro perëndimore të kryeministrit Ilie Bolojan me një mocion mosbesimi duke hedhur poshtë politikat shtrënguese të administratës dhe planet për të shitur asetet shtetërore.

Mocioni i mosbesimit u soll nga ”Aleanca për Bashkimin e Rumunëve” (AUR), një parti populiste e ekstremit të djathtë, dhe Partia Social-demokrate (PSD), deri vonë pjesë e koalicionit të Bolojanit.

Mocioni mori mbështetje nga 281 anëtarë të Dhomës së Deputetëve dhe Senatit, përfshirë shumë nga grupe të tjera më të vogla të ekstremit të djathtë, shumë më tepër se 233 votat e kërkuara.

PSD dhe AUR mbajnë gjithsej 219 vende në të dyja dhomat.

Presidenti Nicușor Dan tani duhet të paraqesë një kandidat për postin e kryeministrit.

Nëse parlamenti refuzon dy propozime të njëpasnjëshme, ai mund të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme.

Dan kohët e fundit e bëri të qartë se nuk do të emëronte një kandidat nga AUR-i anti perëndimor, i cili është grupi i dytë më i madh në parlament pas PSD-së.

Bolojani kryeson Partinë Kombëtare Liberale (PNL) të qendrës së djathtë.

Bolojani ka qenë në detyrë që nga qershori i vitit 2025.

Qëllimi i tij kryesor politik ishte të rivendoste financat publike, të cilat qeveria e mëparshme e PSD-së i kishte lënë në një gjendje të mjerueshme.

Përmes rritjes së taksave dhe heqjes së subvencioneve, Bolojani arriti të ulte deficitin buxhetor nga 9,3% e PBB-së, në vitin 2024, në 7,9% në vitin 2025.

Megjithatë, SPD-ja tërhoqi mbështetjen e saj nga qeveria në prill për shkak të masave shtrënguese./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›