E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Pentagoni: Irani sulmoi forcat amerikane mbi 10 herë që nga armëpushimi

UASHINGTON, 5 maj /ATSH-DPA/ – Irani ka kryer më shumë se 10 sulme ndaj forcave amerikane që nga fillimi i armëpushimit gati një muaj më parë, tha sot shefi i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Dan Caine.

”Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 8 prill, Irani ka qëlluar gjithashtu nëntë herë mbi anijet tregtare dhe ka sekuestruar dy anije kontejnerësh”, tha Caine në një konferencë për shtyp në Uashington.

Ai i përshkroi incidentet si të mbetura “nën pragun e rifillimit të operacioneve të mëdha luftarake në këtë pikë”.

Caine, i cili është oficeri më i lartë ushtarak në SHBA, vuri në dukje se vetëm të hënën, Irani nisi një sulm ndaj Omanit dhe tre ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe.

”Forcat iraniane përdorën gjithashtu raketa, dronë dhe motoskafe kundër trupave amerikane që punonin për të rivendosur transportin tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit”, tha ai.

”Helikopterët sulmues amerikanë i zmbrapsën me sukses sulmet”, shtoi ai.

Caine tha se sulmet iraniane në rajon kishin lënë rreth 22 500 detarë të bllokuar në bordin e më shumë se 1 550 anijeve tregtare në Gji.

Ngushtica e Hormuzit, e cila lidh Gjirin me detin e hapur, është një arterie kritike për tregtinë globale të naftës dhe mbyllja e saj efektive mes luftës ka prishur tregjet e energjisë në mbarë botën.

”Forcat amerikane kanë krijuar një zonë të zgjeruar sigurie në pjesën jugore të ngushticës, pranë Omanit”, tha Caine.

Njësitë tokësore, detare dhe ajrore të SHBA-së po mbrojnë zonën për të penguar sulme të mëtejshme iraniane ndaj transportit tregtar.

Tensionet u përshkallëzuan dje, ndërsa mosmarrëveshja mbi Ngushticën e Hormuzit, e cila është kryesisht e bllokuar, u intensifikua, duke kërcënuar armëpushimin e brishtë./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›