E Martë, 3 Nëntor 2026

RUSI – Kremlini: Dërgimi i armëve Kievit nxit armiqësi të vazhdueshme

MOSKË, 8 korrik /ATSH-AFP-DPA/ – Kremlini tha sot se dërgesat e armëve perëndimore në Ukrainë nxisin armiqësi të vazhdueshme, pas premtimit të presidentit të SHBA-së Donald Trump për të dërguar më shumë.

“Është e qartë se këto veprime ndoshta nuk janë pjesë e përpjekjeve për të promovuar një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrain뒒, tha zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitry Peskov gjatë konferencës së tij të përditshme, sipas agjencisë shtetërore Ria Novosti.

“Çdo dërgesë synon qartë të promovojë me të gjitha mjetet vazhdimin e armiqësive”, shtoi ai, duke iu referuar një linje “të zgjedhur nga evropianët”, por pa e përmendur presidentin Trump. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u tha gazetarëve se synon të vazhdojë furnizimin me armë të Ukrainës, pavarësisht një ndalimi të pjesshëm të furnizimeve, të zbuluar së fundmi.

I pyetur nga një gazetar nëse planifikonte të dërgonte më shumë armë në Ukrainë, Trump tha se “do të dërgojmë edhe disa armë të tjera. Duhet ta bëjmë. Ata duhet të jenë në gjendje të mbrohen. Po goditen shumë rëndë”.

Ai theksoi se fokusi do të ishte kryesisht te armët mbrojtëse.

Të martën e kaluar, u zbulua se Shtetet e Bashkuara kishin ndaluar dorëzimin e disa armëve të premtuara tashmë në Ukrainë, duke përfshirë raketat kundërajrore.

Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së shpjegoi se ndalimi nuk ishte specifik për Ukrainën dhe se SHBA-të po rishikonin aftësitë e tyre dhe kishin ndaluar ndihmën edhe për vendet e tjera.

Ukraina është mbrojtur kundër një pushtimi rus në shkallë të plotë për më shumë se tre vjet.

Ushtria ruse është përpjekur për javë të tëra të mposhtë mbrojtjen ajrore të vendit fqinj./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›