GJENEVË – OKB: Mbi 1,2 milionë afganë të larguar nga Irani

GJENEVË, 8 korrik /ATSH-DPA/- Më shumë se 1,2 milionë afganë janë larguar nga Irani për në Afganistan që nga fillimi i vitit nën presionin e autoriteteve iraniane, thanë sot Kombet e Bashkuara.
“Rreth gjysma e tyre u deportuan me forcë”, tha Babar Baloch, një zëdhënës i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), në Gjenevë.
“Eksodi është rritur në mënyrë drastike në javët e fundit”, tha ai.
“Që nga fillimi i qershorit, më shumë se 600 000 banorë nga Irani kanë mbërritur në Afganistan”, shtoi ai.
Gjatë luftës së shkurtër midis Izraelit dhe Iranit muajin e kaluar, autoritetet iraniane të sigurisë intensifikuan shtypjen e tyre ndaj afganëve.
“Qindra persona u arrestuan me akuza për spiunazh ose sabotim”, raportuan mediet shtetërore.
Pas luftës, Irani njoftoi gjithashtu se do të dëbonte të gjithë të huajt pa leje qëndrimi të vlefshme.
Edhe para përshkallëzimit ushtarak me Izraelin, pati debate të nxehta në vend rreth numrit të lartë të refugjatëve nga Afganistani fqinj – të cilët kanë lënë atdheun e tyre në masë pasi talebanët rimorën pushtetin gati katër vjet më parë. //a.i/