Raikonen injoron Alonson: Rival kemi MekLaren
Kimi Raikonen mendon se viti 2008 për garat e Formula 1 do të jetë si ai që sapo u mbyll, me një duel të ashpër mes Ferrarit dhe MekLarenit për fitoren. Finlandezi i Ferrarit shihet nga të gjithë si favorit për të fituar titullin, por ai mendon se gjithçka do të sqarohet vetëm pas dy garave të para, ku do të shihet edhe forca e secilës prej skuderive kryesore. "Meklareni do të jetë padyshim rivali ynë kryesor. Bashkë me Ferrarin do të jenë dy ekipet që do të synojnë titujt, ndoshta edhe Reno apo BMV, por më shumë do të dimë vetëm pasi të kenë përfunduar 2-3 garat e para të sezonit", u shpreh ai. Më pas finlandezi ka folur për të gjitha temat e ndryshme, duke filluar pikërisht nga ndryshimet me të cilat do të përballet në këtë sezon të Formula 1. "Pa ndihmat kompjuterike nuk mendoj se do të ndryshojnë shumë gjëra, ndonëse në kushte ekstreme atmosferike do të jetë më e vështirë të kontrollosh makinën. Por nëse ke frikë, atëherë më mirë ia vlen të gjesh një punë tjetër dhe jo të bësh pilotin e Formula 1. E ardhmja? Kam një kontratë edhe për dy sezone të tjera, gjendem mjaft mirë këtu dhe më pëlqen skuadra. Kemi kohën e mjaftueshme për të vendosur. Duhet të saktësoj se kam falënderuar Felipe Masën për ndihmën që më dha në Brazil në luftën për titullin kampion. Me të kam një raport të mirë dhe flasim për shumë gjëra, nuk jemi një skuadër në "luftë". Në të gjitha skuadrat ku kam qenë, kam pasur kushte të barabarta me kolegët e mi, ndaj një gjë e tillë do të jetë edhe në këtë sezon. Gjatë vazhdimit të edicionit, do të jetë klasifikimi ai që do të përcaktojë hierarkitë, në të mirë të skuadrës. Alonso te Reno? Unë e kam thënë gjithmonë që ai është një pilot shumë i shpejtë, por këtë vit gjithçka do të varet nga Reno. Shumaher? Ai ka eksperiencë dhe di se çfarë duhet bërë, ndaj nëse do të duhet ndihma e tij, jam i bindur se do të na shërbejë", u shpreh Raikonen.