Rama: “Bufi i kënetës” është buf i Partisë së Punës

TIRANË, 18 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, në një takim me gratë e vajzat e qarkut Lezhë, foli për skuadrën e PS-së në zgjedhjet e 11 majit, e cila sipas ka edhe kandidatë shumë të rinj në moshë, por edhe kandidatë të vjetër me eksperiencë politike.
“Ne kemi skuadrën më të re dhe skuadrën më të vjetër, kjo është e sigurt. Dhe për ata që e kanë kokën shumë të fortë dhe thonë nuk e votoj sot PS-në, për ata që thonë ‘si t’ji bëjmë se gjyshin e kam të pushkatuar’, a thua se ja kam pushkatuar unë bashkë me Ulsiun, ata nuk i kuptoj dot”, tha Rama.
Sipas tij, “bufi i kënetës, është buf i Partisë së Punës për vite e vite të tëra”.
“Atë e kanë kollaj ta shohin si në rregull për gjyshin, por nuk e dinë që gjyshi i shkretë rrotullohet në varr kur sheh nipin që shkon voton për bufin e kënetës”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi nga gratë dhe vajzat e Lezhës angazhim për të kërkuar votën në çdo derë.
“Duhet të organizoni komplotin më të madh që u është burrave ndonjëherë në këtë vend. Burrat dhe djemtë socialistë e dinë vetë, puna është t’u marrim kalanë nga brenda atyre të tjerëve dhe kalaja nga brenda merret vetëm me gratë”, tha Rama. /j.p/