E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: BE, qëndrim pozitiv për kapitullin e prokurimeve publike

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se monitorimet dhe vlerësimet e institucioneve që punojnë për llogari të Bashkimit Europian janë prova më e fortë e progresit të Shqipërisë në modernizimin e sistemit të prokurimeve publike.

Gjatë aktivitetit “30 vjet Prokurime Publike – Shqipëria, lider rajonal në modernizimin e sistemeve të prokurimit”, ai theksoi se raporti i SIGMA-s përbën një vlerësim të pakontestueshëm profesional.

Rama u distancua nga raportet që bazohen në perceptime, duke theksuar se ato nuk mund të krahasohen me vlerësimet teknike të BE-së.

“Monitorimet e bëra nga institucionet e specializuara që veprojnë për llogari të Bashkimit Evropian, nuk janë raporte të natyrës të shumicës së raporteve me të cilat ne ndeshemi gjatë çdo viti, që bazohen në perceptime publike, bazohen në anketime shumë të diskutueshme për nga standardet dhe bazohen faktikisht në një nivel të dhënash shkencore të pamjaftueshëm”, tha Rama.

“Raportet e institucioneve që punojnë për llogari të BE-së janë raporte të bazuara në një ekspertizë dhe një integritet shumë të lartë dhe të bëra nga profesionistë, të cilat kanë një nivel të vëzhgimit dhe të ambicies për të nxjerrë në pah çdo të metë që është pa diskutim shumë sfidues”, theksoi Rama.

Ai theksoi se vlerësimi pozitiv i SIGMA-s nuk është thjesht teknik, por është vlerësim i rezultatit të një reforme të vazhdueshme modernizuese të të gjithë sistemit të prokurimeve.

“Kështu që vlerësimi i bërë nga SIGMA është një vlerësim, jo thjesht teknik, siç shpesh herë përpiqet ta minimizojë përmbajtën e këtyre vlerësimeve cilido që do të provojë të kundërtën, por është vlerësim i rezultatit të një reforme të vazhdueshme modernizuese të të gjithë sistemit të prokurimeve”, tha Rama.

Rama kujtoi se edhe Bashkimi Europian gjatë hapjes së negociatave me Shqipërinë për kapitujt “Themelorë”, pati një qëndrim qartësisht pozitiv në raport me këtë kapitull.

“Fakti që BE në çeljen e negociatave për grup-kapitullin e “Themeloreve’, ku përfshihet dhe kapitulli i prokurimeve publike pati një qëndrim qartësisht pozitiv në raport me këtë kapitull flet më shumë sesa çdo koment tjetër”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se vlerësimet e Komisionit Europian nuk shquhen nga ndonjë bujari apo ndjenjë solidariteti e veçantë.

“E dimë shumë mirë se vlerësimet e Komisionit Evropian nuk janë vlerësime njerëzish që shquhen për ndonjë bujari apo ndjenjë solidariteti të veçantë. Janë vlerësime njerëzish që, kur ulen në tryezë, zemrën e kanë lënë në shtëpi”, u shpreh Rama.

Sipas tij, matja e integritetit të procedurave dhe e njerëzve që i administrojnë ato mbetet sfidë e përhershme, por edhe nxitje për të çuar përpara reformat.

“Matja e integritetit të procedurave dhe njëkohësisht dhe integritetit të njerëzve që janë pas këtyre procedurave është pikërisht puna e tyre, çka për ne përbën një sfidë të vazhdueshme, por edhe një arsye për t’u ndjerë të inkurajuar, sepse ne mund t’ia dalim aty ku dukej e pamundur faktikisht, tek pikërisht krijimi i një sistemi imun, jo vetëm thjesht në kuptimin e përgjithshëm ndaj korrupsionit, por ndaj numrit të jashtëzakonshëm për metër katrorë të kushërinjve, të komshinjve, të krushqve dhe të gjitha lidhjeve të tjera që e bëjnë këtë lagjen tonë këtu në mes të Europës një lagje shumë specifike sa i përket sfidës së ndërtimit të një shteti që nuk afektohet nga lidhjet e të gjitha llojeve mes njerëzve që bashkëjetojnë në këtë shtet”, tha Rama.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›