E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama në Korçë: Përfshirja e grave ka rritur përgjegjshmërinë dhe cilësinë e vendimmarrjes

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama njëheraz kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi sot një takim me gratë e vajzat e qarkut Korçë.

Rama e nisi fjalën duke theksuar se burrat po ankohen pse lavdëron gratë dhe sipas tyre iu bie burrave.

“Edhe dikush më shkruante përpara se të vija këtu, më thoshte “po ҫfarë ke more burrë i dheut ti gratë lavdëroji sa të duash, por duke i rënë burrave do na ikin burrat”. Tani unë nuk e di sesi mendoni ju. Unë personalisht mendoj që ata burra që na ikin se nuk kuptojnë pse gratë duhen lëvduar më shumë nuk na duhen”, tha Rama.

E dyta, shtoi Rama, “unë nuk shaj burrat absolutisht jo, kurrë. Sot është fakt që PS-në në rang vendi e mbështesin 56% e grave dhe e vajzave. Ka qarqe që kjo mbështetje shkon deri në 65%. Por kjo do të thotë që kur vjen puna tek burrat në rang vendi, diferenca është shumë më e vogël”.

“Unë them që ata burra, të cilët njësoj si dhe shumica dërrmuese e grave mbështesin PS-në, janë jo vetëm të zotë në punën e tyre, por janë edhe mendjehapur, por janë edhe të menҫur politikisht. Kurse ata burra që rrinë edhe pllaquriten në kënetë ata mund të jenë shumë të zotë në punën e tyre, por për mua janë ҫyryk, politikisht ҫyryk”, tha Rama.

“Kjo që PS ka bërë për Shqipërinë në këto vite na jep shumë arsye për të qenë krenarë, por arsyeja për mua kryesore për të qenë krenarë është se kjo parti ka bërë një detyrë të madhe kombëtare dhe shoqërore duke krijuar hapësirat që deri dje gratë ose i kishin shumë të ngushta  ose i mungonin fare”, tha Rama.

“Gratë duke pasur më shumë mundësi kanë bërë të mundur që vendi të ketë më shumë mundësi. Gratë duke pasur më shumë mundësi kanë bërë të mundur që për të gjithë të rriten mundësitë, sepse përfshirja e grave në vendimmarrje ka rritur përgjegjshmërinë dhe cilësinë e vendimmarrjes”, u shpreh Rama.

“Kur e kemi nisur këtë rrugë PS kishte më pak se 15% gra dhe vajza. Sot janë 40% gra dhe vajza. Por mendoj që ne nuk duhet të ndalemi deri kur PS-ja të ketë një grua më shumë. 50 mijë gra dhe vajza duhet të jetë objektivi ynë, pra janë dhe 10 mijë që duhen shtuar dhe 1 më shumë se burra dhe djem, se bëhet puna më mirë”, tha Rama.

“Ju sot keni 71 përfaqësuese tuajat në skuadrën tonë për në Kuvendin e ardhshëm. Por më e bukura është që në listat e mbyllura 52% janë gra dhe vajza”, tha Rama.

“Në këshillat bashkiakë ne e kemi filluar në 2011-ën me 12% gra dhe vajza. Në 2015-ën 35% gra dhe vajza. Në 2019-ën 43% gra dhe vajza. Në 2023-in 50% gra dhe vajza”, u shpreh Rama.

“Sot në administratën tonë publike gratë dhe vajzat janë më shumë sesa gjysma dhe në drejtim në administratën tonë publike më shumë se gjysma janë gra dhe vajza”, theksoi Rama.

“Sot në negociatat në BE, ku janë të përfshirë rreth 1 mijë vetë në anën tonë, 1 mijë vetë në anën e tyre, shumica dërrmuese janë gra dhe vajza dhe Kryenegociatorja, zv/kryenegociatorja janë njëra grua dhe tjetra vajzë”, u shpreh Rama.

“Sot numri i grave që drejtojnë ndërmarrjet aktive në Shqipëri ka arritur në 30%”, tha Rama teksa shtoi se “nuk e di nëse do ta mbyllnim TikTok-un nëse nuk do të kishim mbështetjen e grave”.

Rama tha se në statusin e PS është vendosur si risi që “organizatat e PS-së drejtohen nga burra dhe djem dhe nga gra dhe vajza dhe sot 95-96% të organizatave ne kemi drejtuese gra ose vajza”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›