Rama: Do ta respektoj deri në fund kontratën që kam me shqiptarët

TIRANË, 12 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ai ka një kontratë me shqiptarët dhe do ta respektojë atë deri në fund.
Në një intervistë në emisionin “Shqipëria Live”, në Top Channel, Rama komentoi thirrjet kundër tij në protestat e organizuara kundër investimit në Zvërnec, ndërsa u shpreh se “koha kur njerëzit linçoheshin me turma, fatmirësisht ka vdekur njëherë e mirë”.
Lidhur me pankartat kundër shpopullimit të Shqipërisë dhe pretendimeve se largimi i shqiptarëve nga vendi është rritur në shifra alarmante, Rama tha se “kjo është totalisht e pavërtetë, sepse shifrat tregojnë të kundërtën”.
“Shifrat nuk tregojnë një rritje, përkundër tregojnë një zbutje të tendencës mes ikjeve dhe kthimeve. Ndërsa për të tjerat, tregojnë që shëndetësia ka ende punë për të bërë. Patjetër ka ende zona që kanë nevojë që të kenë ujë dhe drita 24 orë dhe pikërisht pse ka ende nevojë për të gjitha këto, ne do vazhdojmë punën për t’i realizuar. Këto nuk realizohen sepse ti i konstaton dhe dëshiron që të bëhen”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se “mandati mbaron në vitin 2029 dhe deri atëherë ne do vazhdojmë punën”.
“Pastaj do bëhet bilanci dhe pastaj populli do thirret përsëri të japi opinionin e vet. Kështu që këtu nuk jemi në kushtet kur dikush mund të dali në rrugë një ditë dhe të thotë që ritmi me të cilin ju po punoni ne nuk na pëlqen dhe ne duam një ritëm tjetër. Shumë mirë, është shumë e drejtë kjo, por kjo nuk implikon domosdoshmërisht që qeveria duhet të largohet dhe të vijnë protestuesit të qeverisin”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se kjo është Shqipëria më e mirë që kemi pasur ndonjëherë.
“Unë kthej kokën mbrapa, shikoj nga jemi nisur edhe besoj që kjo është Shqipëria më e mirë që kemi pasur ndonjëherë në raport me çfarë kemi pasur dje, pardje e kështu me radhë. Por e kam thënë dhe përsëris që Shqipëria që do të kemi duhet të jetë dhe do të jetë më e mirë se kjo që kemi sot”, theksoi Kryeministri.
/r.e/a.f/