E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Investimi në Zvërnec më shumë se një e shtata e prodhimit të përgjithshëm, protestat u nxitën nga manipulime online

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste deklaroi sot në takimin e mbajtur në sheshin “Italia” në Tiranë, në 35-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste, se protestat kundër projektit të investimit në Sazan kanë ardhur si rezultat i një vale të madhe informacioni dhe dezinformimi të shpërndarë në rrjetet sociale dhe kanalet e internetit.

Në fjalën e tij, Rama iu drejtua themeluesve, përfaqësuesve dhe anëtarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë, duke theksuar se puna e solli që pikërisht në muajin e kremtimit të 35-vjetorit të lindjes së kësaj force politike “një masë e madhe njerëzish të dilte vrullshëm mbi sipërfaqen e kanaleve të internetit dhe një bashkësi përfaqësuese e saj të merrte në zotërim çdo mbrëmje bulevardin e Tiranës”.

Sipas tij, protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune, por edhe me atë që e quajti “kërkesë të padrejtë për anulimin e një investimi madhor”, i cili, sipas Ramës, do të ndikojë ndjeshëm parametrat ekonomikë dhe socialë të Shqipërisë.

“Duke futur të paktën 4 miliardë euro në një ekonomi me një volum të përgjithshëm prej 27 miliardë eurosh. Vetëm ky investim është më shumë se një e shtata e prodhimit të përgjithshëm të vendit tonë dhe dy herë e gjysmë më shumë se i gjithë stoku i investimeve të huaja në Shqipëri vitin e shkuar”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te mënyra se si është trajtuar projekti në rrjetet sociale, duke thënë se, po të ishte një qytetar që informohej vetëm nga ato burime, edhe ai do të ishte ndikuar nga përmbajtjet e shpërndara.

“E vërteta është se edhe unë personalisht, po të isha një qytetar që informohet nga rrjetet sociale, duke dëgjuar e parë gjithë llojet e gjysmë të vërtetave të fryra çdo minutë në vorbullat e kanaleve të dala me tërbim nga shtrati, si dhe lloj-lloj videosh e fotosh të sajuara për të ushqyer zemërimin, pelikanë të ngordhur, flamingo në arrati, grataçela mbi lagunën dhe mbi Sazanin, tabela kufiri të Izraelit mbi një gardh me tela me gjemba, do të kisha dalë në bulevard i llahtarisur nga gjithë ai apokalips digjital”, tha Rama.

Ai shtoi se, në një situatë të tillë, do t’i dukej sikur “bota u zgjua si nga një ankth dhe u bashkua kanal më kanal e ekran më ekran, kontinent më kontinent, për të shpëtuar atdheun tim të vogël nga një investim shkatërrues për jetën e gjelbër, shfarosës për zogjtë dhe breshkat e ujit, vrastar për njerëzit dhe varrosës për të ardhmen e Shqipërisë”.

Rama deklaroi se, nëse do të besonte të gjitha ato që janë thënë për projektin, “anulimi i një projekti kriminal” do t’i dukej gjëja më e natyrshme që duhej të ndodhte.

“Dhe pa diskutim anulimi i një projekti kriminal, që në të vetmin ishull të Shqipërisë u jepet si falje e një toke publike në zonë të mbrojtur, si shkelje brutale e të drejtës së pronës, do të më dukej më e pakta gjë që duhet të ndodhte”, u shpreh ai.

Megjithatë, kryeministri theksoi se përpiqet vazhdimisht të vendosë veten në këndvështrimin e kundërshtarëve të projektit.

“E kam vënë veten vijimësisht, sepse ma ka mësuar kjo punë, që të futem në këpucët e tjetrit, në anën e atij grupi njerëzish që në mes të asaj turme prurjesh dhe interesash të llojllojshme i ka çuar pasioni i sinqertë për zogjtë, dashuria për natyrën e virgjër, ideja e një Shqipërie ideale, të paprekur dhe të paprekshme. Këto burime të energjisë ambientaliste, bashkuar me ndjesinë e hidhur të dhunimit nga arroganca e atyre që një pushtet, sado të vogël, e ushtrojnë duke shpërfillur hallet dhe interesat e njerëzve, janë më shumë se të mjaftueshme për të dalë në rrugë”, tha ai.

Rama nënvizoi se nuk e sheh dallimin mes tij dhe protestuesve te dashuria për natyrën dhe mjedisin.

“Edhe unë mendoj njëlloj për hijet e natyrës shqiptare, për rëndësinë e mjedisit, për jetën e banorëve të tokës dhe përparësinë e mjedisit përballë vendimeve të njerëzve në pushtet. Qysh se kam shkelur në zyrë, nga posti i ministrit të Kulturës e deri sot, kam bërë gjithnjë sa kam mundur kundër pisllëkut dhe për pastërtinë”, tha ai.

Duke kujtuar periudhën kur drejtoi Bashkinë e Tiranës, Rama tha se shumë prej kritikëve të sotëm janë tepër të rinj për të kujtuar Tiranën e 25 viteve më parë.

“90% e pemëve që shohin në rrugët e Tiranës, nga buzët e Lanës e deri në Laprakë, nga Kinostudio në Kombinat e rrotull unazës së vjetër, i kemi mbjellë së bashku me disa të tjerë këtu, në kohën kur si kryetar bashkie dola nga zyra duke lënë pas 55 mijë rrënjë pemësh dhe shkurresh dekorative të mbjella”, tha ai.

Sipas Ramës, transformimi i Tiranës u shoqërua me kundërshti të shumta, por rezultatet e tij janë të dukshme sot.

“Ajo epope e rilindjes së Tiranës ka qenë një rrugë e një vështirësie që sot është zor të imagjinohet dhe që atëherë e mësova me pahir se në këtë vend nuk hidhet dot një hap për të ecur përpara pa u hapur një sherr për t’u kthyer pas. Ashtu sikundër ajo rrugë më mësoi se shumica e heshtur është gjithnjë me hapin që hidhet përpara, asnjëherë me sherrin e zhurmshëm për t’u kthyer pas”, tha ai.

Kryeministri kujtoi një shprehje të Faik Konicës, që sipas tij e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës politike.

“Dhe që atëherë më flet gjithmonë në vesh, vazhdimisht Faik Konica: bëj durim, se shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh”, u shpreh Rama. /j.p/

1 nga 9

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›