E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Protestat për Zvërnecin po shfrytëzohen nga Irani për ndërhyrje në Shqipëri

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste deklaroi sot, në takimin e mbajtur në sheshin “Italia” në Tiranë, në 35-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste, se protestat kundër investimit në Zvërnec po shfrytëzohen nga aktorë të huaj për të ndikuar në debatin publik në Shqipëri.

“Kam dëgjuar ca molotovarë edhe ca karnaval që thonë nuk ka lidhje fare Irani këtu. Kjo është një protestë bio. Protesta e atyre që janë shqetësuar për Zvërnecin është bio, natyrisht”, tha Rama.

Por shtoi ai, në këto raste aktorë të jashtëm ndërhyjnë duke shfrytëzuar shqetësimet e qytetarëve.

“Por ajo që bëjnë vendet që futen armiqësisht në punët e një vendi tjetër është pikërisht shfrytëzimi i protestave bio, i përzisë, i sekëlldive, i shqetësimeve, i alarmeve bio, dhe pastaj ata e dinë se çfarë bëjnë”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se është e pamundur të mohohet, përfshirja e Iranit në përpjekje për të ndikuar zhvillime në Shqipëri.

“Duhet të jesh idiot që të mohosh përfshirjen aktive të një vendi armik, i vetmi vend armik që ka Shqipëria, jo se kemi zgjedhur ne ta bëjmë armik, por se ka tentuar të na shkatërrojë investimin për infrastrukturën digjitale, Irani”, tha ai.

Kryeministri shtoi se vet pala iraniane e dëshmoi këtë.

“Dhe duhet të jesh idiot të thuash që Irani nuk ka asnjë punë këtu kur vetë zëdhënësi i qeverisë iraniane shkruan shqip: Rama ik’”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se rreziku nuk lidhet vetëm me ndërhyrje të drejtpërdrejta, por edhe me përdorimin e rrjeteve digjitale për të deformuar realitetin.

“Nuk është çështja se sa lidhje të drejtpërdrejta ka një armik që futet përmes rrjeteve digjitale dhe tenton të bëjë çorap vendin tonë. Nuk është si fijet që priten, por është se si dikush tjetër shfrytëzon sinqeritetin tënd për të bërë çorap vendin tënd”, u shpreh kryeministri. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›