Rama: Pro dekriminalizimit të shpifjes për gazetarët, jo për të zgjedhurit nga populli

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri dhe njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar socialist se është dakord me dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, falë procesit të negociatave me Bashkimin Europian, por jo për dekriminalizimin e shpifjes për të zgjedhurit nga populli.
Kreu i qeverisë theksoi se, “vetëm me një gjë unë nuk do të pajtohem kurrë: që të dekriminalizohet për ata që janë të zgjedhur nga populli. Të tjerët shpifni, shpifni se diçka do mbetet. Sa të kemi fuqi do mundohemi që mos të mbetet. Kurse ata që janë në sallën e Parlamentit apo ata që janë të zgjedhur në nivelin vendor, për ata shpifja me votën time nuk dekriminalizohet”.
Ai shtoi gjithashtu se Radio Televizioni Shqiptar ka nevojë për një reformim të thellë, duke sqaruar se nuk ka ndërmend të ndërhyjë në median publike ose online.
“Unë nuk merrem me televizionin publik, as me mediet online. Ju që vuani shpifjet merruni personalisht; kjo është puna e atyre që dinë vetëm të shpifin, të vendosin gjoba apo të dëmtojnë. Nuk është e gjithë media, fatmirësisht, por është një fenomen i përhapur në të gjithë Europën. Por unë nuk merrem me këtë”.
Rama gjithashtu u shpreh se në komisionet parlamentare duhet garantuar përfaqësimi politik dhe se ministritë nuk mund të përfaqësohen vetëm nga nëpunës civilë.
Kryeministri Edi Rama pati kritika për RTSH.
“Kemi tentuar të krijojmë kushtet që RTSH të reformohet dhe kemi dështuar me suksesin më të plotë. Se di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i RTSH është dështim i suksesshëm, nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja e publikut në mospërfillje, ne s’kemi televizion publik sot në Shqipëri, kemi një kanal atje, por hera e fundit kur e kam, parë është në vitin 1990 para përmbysjes së protestave.
“Çdo opsion duhet të jetë në tryezë edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, edhe çdo gjë përvec kësaj që është”, tha Rama.
/gj.m/r.e/a.f/