E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Drejtësia e re shfaq shenja të trashëguara të sëmundjeve, t’u japim mundësi institucioneve të rriten

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në Asamblenë Kombëtare të PS se, “pushteti i ri i drejtësisë mban ende në radhët e veta lart e poshtë nëpër Shqipëri prokurorë dhe gjykatës, jo pak dritëshkurtër, mendjengushtë dhe nganjëherë me një mungesë ulëritëse integriteti, të cilët e bëjnë të bardhën të zezë, ndërkohë që qeverisja e pavarur e sistemit reagon sikur fle në këmbë”.

Rama theksoi se, “rasti i kohëve të fundit kur disa prokurorë dhe gjykatës të tillë i kanë rënë ndesh interesit publik me një verbëri dhe një brutalitet të frikshëm duke mbajtur anën e zaptuesve të hapësirës publike është emblematike”.

“Dhe kur shikon sesi individë, të cilët paguhen nga taksat tona, ku e ku më shumë sesa mësuesit apo sesa mjekët e infermierët e përdorin pavarësinë e tyre për të goditur pabesisht interesat e shtetit dhe të familjeve të një lagjeje të tërë banimi, të zë lemeria nga rishfaqja e drejtësisë së vjetër me fytyrë të re”, shtoi Kryeministri.

Në këtë pikë, shtoi kreu i qeverisë, “e vërteta e madhe është se nuk bëjnë përjashtim as vetë SPAK-u, krenaria e vetme deri më sot e zbatimit të Reformës në Drejtësi, dhe as Gjykata Speciale jo se jo, e cila nuk po del ende nga hija e SPAK-ut”.

Rama theksoi se, të dyja këto institucione kanë dhënë publikisht, në më shumë se një rast, edhe arsye për t’u habitur, por edhe arsye për t’u shqetësuar shumë seriozisht.

“Mosrespektimi i prezumimit të pafajësisë, intimidimi i personave të ashtuquajtur në dijeni, paraburgimi si presion publik dhe juridik, nxjerrja e të dhënave hetimore rrugëve me qëllim për të linçuar dhe paracaktuar në pazar fatin e personave të hetuar, marrja forcërisht e rolit të institucioneve të tjera ligjzbatuese nga prokurorët apo dalja dëmtore e gjykatësve nga roli i garantit të barazisë para ligjit për të marrë rolin e noterit të prokurorëve ose ndonjëherë të superprokurorit, janë shenjat e sëmundjeve të trashëguara nga trupi i kalbur i drejtësisë së vjetër 100 e ca vjeçare, tek organizmi fëmijëror i drejtësisë së re 7- vjeçare”, tha Rama.

Por, shtoi kreu i qeverisë, “kura për këto sëmundje nuk është kurrsesi kthimi mbrapa nga rruga e pavarësimit të drejtësisë, në asnjë mënyrë”.

“Duhet durim i madh strategjik për t’i dhënë kohës kohë me bindjen se institucionet demokratike nuk rriten më shpejt se fëmijët, madje ato rriten shumë më vonë se fëmijët. Duhet largpamësi për të mos bërë asnjë hap pas në raport me drejtësinë dhe pavarësinë e saj, sepse çdo hap i tillë sot do të kishte si pasojë nesër, kushedi sesa më shumë hapa larg nga drejtësia evropiane e gjeneratës tjetër”, theksoi ai.

“Shpeshherë mua më pyesin, edhe shokë dhe shoqe këtu, si mund të durohen pa lënë dy gurë bashkë padrejtësitë e organeve të drejtësisë kur ato bien deri edhe tek dikush me të cilin kemi ndarë ditë të mira dhe të këqija në llogoren e përbashkët, si xhanëm, edhe kur padrejtësia në trajtimin e rastit duket açik ku e ku më e trashë sesa filli i drejtësisë, prapëseprapë u dashka të durojmë”, theksoi Rama.

“E di që përgjigjja ime shumëkujt këtu nuk i duket përgjigje, edhe pse sa për sy e faqe bën sikur bie dakord, por unë nuk e gjej dot një përgjigje më të lehtë. Sipas meje, pikërisht pse ne kemi hyrë, jo me zor, por me dëshirë në këtë llogore të përbashkët të politikës me flamurin e PS-së dhe kemi zgjedhur të punojmë për Shqipërinë e nesërme nuk kemi asnjë mundësi dhe mbi të gjitha asnjë të drejtë ta kthejmë llogoren e përbashkët në një strehë për të marrë në mbrojtje këdo qoftë dhe as të nxjerrim artilerinë tonë kundër SPAK-ut apo GJKKO-së dhe po përfshirë edhe në rastet ku për dikë sipas nesh po bëhet një padrejtësi”, theksoi Rama.

“Fatkeqësisht për ne, nga ana njerëzore, por fatmirësisht për Shqipërinë dhe për PS-në, sepse sado e padrejtë dhe ndoshta absurde mund të duket kjo që thashë, po të mos e lësh mënjanë anën njerëzore do të ishte i pariparueshëm për më shumë se një dekadë tjetër dëmi që artileria do t’i bënte Shqipërisë së nesërme, kauzës së madhe epokale të pavarësisë dhe transformimit evropian të drejtësisë, të ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë, si garancia e vetme nesër e një sistemi të pavarur, të drejtë, funksional drejtësie të barabartë për të gjithë fëmijët e sotëm të Shqipërisë. Ky është durimi shtetbërës strategjik që duhet ta kalisë kush do ta marrë përsipër të jetë pjesë e grupit udhëheqës të kësaj partie, me vetëdijen se deri kur institucionet e reja të drejtësisë do të qëndrojnë mbi këmbët e veta, kjo parti është i vetmi garant i pavarësisë së tyre”, tha Rama.

“Po nuk iu dhamë atyre institucioneve të dobëta, ende shumë të dobëta, kohën që iu duhet të rriten, ndërgjegjësohen dhe të aftësohen ashtu si duhet, gjithë kjo përpjekje do të shkojë dëm, po më keq akoma do të shkojë dëm gjithë ëndrra dhe pritja e shqiptarëve për të pasur një drejtësi më në fund të pavarur nga pushteti politik”, tha Rama.

“Për fat shumë jo të mirë, koha që iu duhet atyre institucioneve që të rriten përfshin detyrimisht edhe kurimin me kosto shumë të larta njerëzore të atyre sëmundjeve të trashëguara që përmenda më lart. Dhe këto kosto janë në lëkurën tonë dhe ky është guri më i madh mbi kurrizin tonë”, u shpreh Rama. /j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›