E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Të vihet në lëvizje mekanizmi ligjor i shkarkimit të kryebashkiakut të Tiranës

TIRANË, 11 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, kërkoi sot t’i hapet rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri bashkie në Tiranë.

“Përfaqësuesit tanë në këshillin bashkiak duhet të vënë në lëvizje mekanizmin ligjor të shkarkimit të kryebashkiakut të zgjedhur, pavarësisht se dhe kjo duhet parë nga parlamenti i ri, pasi kuadri ligjor lë për të dëshiruar në rastin kur kryetari i bashkisë nuk paraqitet në detyrë jo se ai nuk do të paraqitet, por se është i penguar nga paraburgosja”, shtoi Rama.

Rama e cilësoi situatën një emergjencë, pasi sipas tij, “prej 7 muajsh Tirana nuk ka as një kryetar bashkie të votuar në krye të detyrës, as një kryetar bashkie të dënuar nga drejtësia të lidhur në detyrë”.

“Sot kemi një kryetar të zgjedhur tri herë nga populli i kryeqytetit të cilit i është mohuar e drejta e gjykimit në liri. I është bërë një gjyq i gjatë gjysmë të vërtetash në tezgat e pazarit mediatik dhe i pasqyrave të gjykatave sociale – madje në shkelje të hapur të ligjit dhe të çdo zakoni janë nxjerrë nga brenda nga ato tezga edhe biseda me familjarët nga telefoni i burgut. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik, diktatorial jo e jo”, shtoi Rama.

Rama theksoi se kjo është shkelja më e hapur, më flagrante, më brutale në shpërdorim total të detyrës nga ana e atyre që duhet të mbajnë nën kontroll materialet hetimore.

“Puna jonë këtu është se askush nuk mund ta thotë sa mund të zgjasë kjo histori drejtësie me pikëpyetje, pikëçuditëse, pikëpresje. Ndërkohë asnjë zëvendësues i pavotuar nga populli i kryetarit të bashkisë, edhe sikur të zbresë nga qielli, nuk mund ta ketë legjitimitetin demokratik dhe forcën e brendshme që nevojitet për ta udhëhequr për një kohë të gjatë, dy vjet në drejtimin e duhur bashkinë e kryeqytetit”, tha Rama.

Ndërsa vlerësoi punën e kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, Kryeministri Rama u shpreh se “sot duhet të marrim vendim politik për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri bashkie në Tiranë.

“Nuk i heq asnjë meritë kryetares në detyrë për sa ka bërë në këta 7 muaj anomalie totale institucionale të paprecedentë për kryeqytetin, përkundrazi e falënderoj, por sot ne duhet të marrim vendim politik për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri bashkie në Tiranë”, tha Rama.

Rama tha se “ky nuk është një propozim që e bëj me zemër të lehtë, ndaj i kuptoj të gjithë ata që mund të mos ndihen mirë”.

“Por Tirana nuk mund të gdhihet dhe ngryset pafundësisht si një trupë pa kokë dhe qytetarët e Tiranës nuk duhet të presin më as 7 ditë të tjera pa e ditur se çfarë do të bëhet me drejtimin e bashkisë së Tiranës”, u shpreh Rama.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›