E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: PS është e mira më e madhe që shqiptarët mund të zgjedhin

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në Berat.

Në fjalën e tij Rama u shpreh mbi investimet në qarkun e Beratit.

“Investimet e bërë në qarkun e Beratit, projektet e realizuara në qarkun e Beratit, transformimet falë gjithë këtyre projekteve e investimeve në shumatoren e tyre nga pikëpamja financiare janë më shumë sesa ç’kanë bërë në Berat të tëra qeveritë të marra së bashku në të tëra vitet të marra së bashku”, tha Rama.

“Ata që duan të mohojnë dhe të mbulojnë “diellin me shoshë”, thonë: “E mo mirë, se këto i solli koha, po ju çfarë bëtë se, këto do ndodhnin/”. Po pse nuk solli koha në ’97-ën një Shqipëri më të mirë sesa ajo e ’92-shit? Pse nuk solli koha në 2013-n një Shqipëri më të sigurtë në aspektin e sigurisë në rrugë, apo në aspektin e sigurisë ekonomike, apo në aspektin e sigurisë së bankave sesa ajo e 2005-ës? Pse nuk i solli koha këto? Sepse koha sjell atë që njerëzit mbjellin dhe njerëzit korrin, pikërisht, atë që mbjellin. Dhe këtë e dinë më mirë se të tërë të gjithë ata këtu në këtë qark dhe në të gjithë Shqipërinë që jetojnë me punë dhe që përmes punës krijojnë të ardhura dhe që përmes të ardhurave rrisin ekonominë e tyre dhe rrisin dhe ekonominë e vendit.”

Por, shtoi Rama, “për ata njerëz që janë populli shqiptar në punë, nuk ka vend në ekranet e televizorëve. Për ata njerëz nuk ka vend në pasqyrat e portaleve. Për ata njerëz këneta mediatike nuk do t’ia dijë dhe prandaj kur ju hapni televizorët në mbrëmje”.

Rama foli edhe për sondazhet që thonë se PS ka shumicën e popullit shqiptar.

“Shikoni sondazhet e bëra në mënyrë të pavarur, që nga sondazhisti i Donald Trumpit, deri te sondazhistët e tjerë nëpër Evropë nëpër stacione të ndryshme, që thonë njëzëri se PS ka shumicën e popullit shqiptar, patakseni kur dëgjoni komentatorët e “kënetës” që habiten: Si ka mundësi? Si ka mundësi që ky popull në shumicë mbështetka akoma PS-në?! Si ka mundësi që ky popull në shumicë mendoka se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur?! Si ka mundësi që ky popull në shumicë mendoka që në 2 vitet e ardhshme ekonomia do të jetë akoma më mirë?! Dhe shpjegimi i tyre është: populli qenka i sëmurë, populli qenka çmendur, populli qenka shitur, populli qenka blerë, popullit i paska hyrë frika në palcë”, tha Rama.

Dhe për këtë arsye, shtoi Rama, “ata përsëri do të duhet të përjetojnë shijen e hidhur të humbjes së shumë merituar, ndërsa populli shqiptar në shumicë dërrmuese do të vazhdojë të mbështesë vetveten duke mbështetur PS-në, do vazhdojë të mbështesë Shqipërinë duke mbështetur PS-në”.

“Sepse PS-ja nuk ka rënë nga qielli, PS nuk është një parti engjëjsh. PS është është një parti shqiptarësh dhe shqiptaresh që mund të mos jetë më e mira, po më të mirë se PS-ja nuk ka. Dhe PS nuk është e keqja më e vogël. PS është e mira më e madhe që shqiptarët mund të zgjedhin”, theksoi Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›