Rama: Shqipëria sot me një pozicion që nuk e ka pasur kurrë më parë, në 2027-n mbyllim negociatat

TIRANË, 1 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, vlerësoi se Shqipëria sot ka një pozicion që garanton një vlerësim që ky vend dhe flamuri ynë nuk e ka pasur kurrë më parë.
Në takimin përmbyllës elektoral në Berat, Rama iu referua vlerësimeve periodike që vijnë nga Komisioni Europian në përmbushjen e detyrave në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Shtëpia e Europës së bashkuar është një shtëpi të pasurish, anëtarësh të një familje që nuk pranon kurrë të të fusë brenda pa të marrë të gjitha analizat dhe pa marrë të gjitha garancitë që kur hyn brenda ti bëhesh një anëtar i denjë dhe jo një problem për atë shtëpi”, tha Rama.
Fakti që sot ne jemi te pragu i derës, për kryeministrin Rama, tregon se ata kanë hapur derën dhe po negociojnë me ne duke na dhënë 3 vjet, një afat që nuk ia kanë dhënë askujt më parë asnjë nga vendet ish-komuniste.
“Deri në vitin 2027 ata janë gati t’i mbyllin negociatat dhe të na bëjnë anëtarë në BE. Kjo nuk tregon se papritur po na fusin në shtëpi duke mbyllur sytë, por tregon ashtu siç shkruhet në të gjitha letrat e Komisionit Europian se Shqipëria i ka kryer detyrat e veta në këtë fushë. Fillojmë punën dhe vazhdojmë më tutje”, tha Rama.
Kjo, sipas kryeministrit, do të thotë se Shqipëria ka të dhëna që garantojnë seriozitetin dhe një progres që garanton respektin për ne.
/r.e/a.f/