E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: “Festa e byrekut”, traditë e bukur e komunitetit shqiptar në Chicago


TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijon të mbajë gjallë traditën dhe kulturën shqiptare përmes organizimeve të ndryshme festive.

Një prej tyre ishte dhe “Festa e byrekut” e organizuar për të dytin vit radhazi nga komuniteti shqiptar në Illinois-Chicago SHBA.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky panair, ku u prezantua arti i kulinarisë nga zona të ndryshme shqiptare.

“‘Festa e byrekut’, një traditë e bukur e komunitetit shqiptar në Illinois-Chicago SHBA vjen për të dytin vit radhazi, ku qindra bashkëkombas shqiptarë marrin pjesë në këtë minipanair dhe sjellin byrekun e gatuar me receta nga të gjithë trevat e Shqipërisë, duke ruajtur e përcjellë ndër breza artin e kulinarisë shqiptare deri në kontinentin e largët”, u shpreh Rama.

Në panairin e organizuar në Illinois amvisat shqiptare prezantuan lloje të ndryshme të byrekut, duke ruajtur traditën e kuzhinës shqiptare.

Një nga sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara është ruajtja e gjuhës, kulturës dhe traditës. Ndaj dhe komuniteti shqiptar mundohet që përmes organizimeve të ndryshme të ruajë traditën e kulturën duke e përçuar atë te brezat e rinj.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›