E Martë, 3 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraeli: Thirrja e shefit të OKB-së për të hetuar vdekjet pranë vendit të ndihmave në Gazë, një turp

GJENEVË, 3 qershor /ATSH-DPA/- Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres bëri thirrje për një hetim të pavarur mbi sulmet e dyshuara izraelite – pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmës në Gazë, duke shkaktuar kritika të ashpra nga qeveria izraelite.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite, Oren Marmorstein e quajti deklaratën e Guterres një “turp” dhe kritikoi shefin e OKB-së për mospërmendjen e grupit islamist palestinez Hamas ose refuzimin e tij të propozimeve për armëpushim dhe lirimin e pengjeve.

“Asnjë fjalë për faktin se Hamasi është ai që qëllon civilët dhe përpiqet t’i pengojë ata të mbledhin pakot e ndihmës”, shkroi Marmorstein në një postim në X.

Guterres kërkoi më herët një hetim mbi raportet, bazuar në pretendimet e Hamasit, se sulmet izraelite vranë civilë që kërkonin ndihmë.

Zyra e medias e drejtuar nga Hamasi tha të dielën se 30 persona ishin vrarë në incidente të tilla.

“Është e papranueshme që palestinezët po rrezikojnë jetën e tyre për ushqim”, shkroi Guterres në X, duke shtuar se Izraeli ishte i detyruar sipas ligjit ndërkombëtar humanitar të lehtësonte shpërndarjen e ndihmës.

Izraeli kohët e fundit i ka lejuar Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF) të shpërndajë ndihma në Rripin e Gazës, duke anashkaluar agjencitë e OKB-së, ndërkohë që ka rinisur shpërndarjen e kufizuar të ndihmave pas një bllokade gati tremujore. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›