Rama: Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë po rilind me klasa të reja, bibliotekë, laboratorë dhe terrene sportive

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit vijon investimet për transformimin e infrastrukturës arsimore në shkolla.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga punimet që po kryhen në gjimnazin “Jani Nushi” në Lushnjë, ku vijon puna për rikonstruksionin e shkollës bashkë me ambientet sportive të saj.
Rama shkruan se gjimnazi do të ketë klasa të reja, bibliotekë, laboratorë dhe terrene sportive moderne, për të garantuar kushte dinjitoze për nxënësit dhe mësuesit.
“Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë po rilind me klasa të reja, bibliotekë, laboratorë dhe terrene sportive moderne, për të garantuar kushte dinjitoze për nxënësit dhe mësuesit, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Lushnjës”, shkruan Rama.
Ky rikonstruksioni është një domosdoshmëri për nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle, e cila kishte mbi 50 vite pa u rikonstruktuar.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është krijimi i kushteve bashkëkohore të mësimdhënies dhe jetesës në hapësirat e saj.
Nxënësit e kësaj shkolle janë transferuar përkohësisht tek shkolla 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjës” derisa të kenë mundësinë të mësojnë në ambientet e reja dhe moderne të shkollës së tyre me kushtet optimale dhe bashkëkohore. /j.p/