E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Merz në vizitë zyrtare në Uashington

BERLIN, 5 qershor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka planifikuar të takohet sot me presidentin e SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, në vizitën e tij të parë në kryeqytetin e SHBA-së – që kur erdhi në detyrë një muaj më parë.

Takimi kokë më kokë është planifikuar në orën 11:30 të mëngjesit, i ndjekur nga një konferencë për shtyp në Zyrën Ovale dhe një drekë pune.

Vizitat e mëparshme në Zyrën Ovale nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa nxitën shumë polemika.

Takimi i Merz do të përqendrohet në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përgjigjen e NATO-s ndaj kërcënimeve të jashtme në rritje dhe mosmarrëveshjen tregtare midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Merz e ka bërë tashmë të qartë se nuk po udhëton në kryeqytetin e SHBA-së për të kërkuar mbështetje, por si një përfaqësues i sigurt i qëndrimeve evropiane.

Kancelari është takuar shkurtimisht me Trump një herë, shumë vite më parë në Nju Jork. Megjithatë, që kur mori detyrën katër javë më parë, ai ka zhvilluar disa herë biseda telefonike me Trump, për luftën e Rusisë kundër Ukrainës – si individualisht ashtu edhe në grupe më të mëdha me udhëheqës të tjerë evropianë.

Të dy liderët tani i drejtohen njëri-tjetrit me emër dhe janë në kontakt të rregullt nëpërmjet mesazheve me tekst.

Merz pritet të kalojë rreth 17 orë në Uashington dhe gjithashtu planifikon të vizitojë Kapitolin, selinë e dy dhomave të Kongresit.

Në qershor, Merz dhe Trump kanë planifikuar të takohen edhe dy herë: në samitin e Grupit të Shtatë (G7) në Kanada, në mesin e qershorit dhe në samitin e NATO-s në të njejtin muaj në Hagë. //a.i/Trump

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›