E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Jemi në krah të Ukrainës, nuk duhet të heqim dorë nga kërkimi i paqes

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka qenë qysh në krye të herës në krah të Ukrainës dhe do vazhdojë të jetë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin britanik Keir Starmer, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me luftën në Ukrainë, Rama theksoi se “më duhet t’ju them se jeni në një vend, i cili që nga ndryshimi i regjimit prej një diktature në një demokraci 35 vjet më parë asnjë president apo kryeministër rus nuk ka vënë këmbë këtu dhe asnjë prej këtej nuk ka fluturuar në Rusi. Nuk na merr malli as nuk po kërkojmë ta ndryshojmë, por kjo është një histori e gjatë që lidhet me historikun tonë me ish-Bashkimin Sovjetik dhe Rusinë”.

Ne, vijoi Rama, jemi të vetëdijshëm se edhe pse ky vend ka kryeministrin më të gjatë në NATO, nuk ka fuqinë as peshën e shumë vendeve të tjera për të luajtur ndonjë lloj roli madhor apo përcaktues.

“Nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë se jemi të bekuar që kemi lindur në kontinentin e iluminizmit dhe një hapësirë të njerëzimit, ku lindi pa dritën ëndrra e paqes së përhershme dhe vetë Europa është një projekt që ka qenë gjithnjë i orientuar drejt paqes”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “ne do të bëjmë gjithçka që të sigurohemi që të kemi fuqinë për të mbrojtur lirinë dhe vlerat tona dhe po kështu kurrë nuk duhet të heqim dorë nga kërkimi i paqes”.

“Ndonjëherë duket shumë e padrejtë, por është natyra e të qenit europian dhe e të qenit nga ana e njerëzimit jo e barbarëve, që të kërkojmë paqe edhe me barbarët”, tha Rama.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›