Samiti në Londër për procesin e Berlinit, Rama: Dritare diskutimi edhe për marrëdhënien e rajonit me Britaninë e Madhe

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe homologu britanik Keir Starmer zhvilluan sot në një konferencë të përbashkët për shtyp në ambientet e Kryeministrisë.
Kryeministri Rama u pyet nga gazetari Muhamet Veliu lidhur me mundësitë që ka Shqipëria për ta vazhduar ndihmën ndaj Britanisë së Madhe për çështjet e emigracionit për të pasur Britania e Madhe në Shqipëri një facilitet të ngjashëm siç ka Italia për çështjen e emigrantëve ilegalë.
Rama tha se për sa i përket replikimit të modelit që është sjellë në Shqipëri në bashkëpunim me Italinë, ky është një model që kërkon kohën e vet për t’u testuar.
“Ky është një model që në rast se funksionon mund të replikohet jo në Shqipëri, por në vende të tjera të rajonit. Po qe se rezultati do të jetë pozitiv nuk ka arsye që të mos ketë disponim nga ana e vendeve të tjera”, pohoi Rama.
Kryeministri Rama u ndal edhe tek Samiti për procesin e Berlinit që do të zhvillohet në Londër në muajin tetor, teksa nënvizoi faktin se pavarësisht faktit se procesi i Berlinit është një proces ndërtuar brenda hemisferës së BE-së nën udhëheqjen e kancelares Angela Merkel për të nxitur bashkëpunimin rajonal në funksion të integrimit evropian, do të ishte pozitive qasja për një dritare diskutimi mes Britanisë së Madhe dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë samit.
“Ne gjykojmë që do të jetë pozitive dhe vlerë e shtuar që në Samitin e Londrës, vendet e rajonit të kenë edhe një dritare diskutimi për marrëdhënien mes Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor në drejtim të bashkëpunimit ekonomik, tregtar, nxitjen e investimeve britanike në rajon dhe shtrirjes së kësaj bërthame shqiptaro-britanike të luftës kundër emigracionit të paligjshëm dhe rrjetet kriminale në të gjithë rajonin për të patur një rrjet rajonal të sinkroniuar me struktuarat e zbatimit të ligjit dhe në Britaninë e Madhe dhe për të siguruar që e gjithë kjo hapësirë është një hapësirë ku veprimtaria e rrjeteve kriminale që nxisin trafikun e paligjshëm të qenieve njerëzore është nën kontroll”, tha Rama.