Rama: Më 11 maj duam një shumicë të fortë për mbylljen e negociatave me BE në vitin 2027

TIRANË, 29 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot drejtpërdrejt pyetjeve të adresuara në platformat sociale.
Në rubrikën “Sy m’Sy”, Rama iu përgjigj një qytetari që e pyeti nëse nuk është mërzitur 12 vjet në qeverisjen e vendit.
Rama theksoi se, “nuk është çështje gëzimi apo mërzie, është çështje misioni dhe përgjegjësie”.
Kjo, theksoi Rama “do të thotë se kemi ende rrugë për të bërë drejt finishit. Jemi afër finishit, por nuk jemi në finish. Rruga drejt finishit, sprinti drejt finishit është mandati i katërt për të anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian”.
“Do të jetë gëzim shumë i madh kur ta realizojmë këtë mision historik”, tha Rama, duke shtuar se, në këto 12 vite janë bërë shumë gjëra sa nuk mund të imagjinoheshin, por mbeten ende gjëra për të bërë.
“Ka dy mënyra për t’u larguar një kryeministër në një vend demokratik. Njëra mënyrë është kur nuk e ndjen më “zjarrin” brenda. Është një lloj zjarri që ndjen njeriu me mision. Gjë që mua nuk më ka ndodhur ende. Dhe e dyta, është kur ti mund ta kesh zjarrin brenda, por njerëzit të thonë, hap krahun sepse duhet të vijë dikush tjetër. Këto të dyja janë, nuk ka tjetër. Ose ikën vetë, ose të largojnë njerëzit”, tha Rama.
Për të parën, shtoi Rama, “unë kam një mision për të përmbyllur dhe nuk jam këtu për asgjë nga çfarë thuhet dhe çfarë thonë dhe nuk jam fare i ngjashëm me atë që përpiqen të më pikturojnë prej tanimë shumë vitesh ata të cilët nuk kanë asnjë aftësi tjetër për të konkurruar denjësisht”.
“Jam këtu për të bërë bashkë me të gjithë ata që punojnë me mua, që më mbështesin mua historinë e këtij e vendi. Dhe mundësia për të bërë histori tanimë na ka ardhur në dorë, është në dorën tonë. Është në dorën tonë në 11 maj mundësia për të bërë histori, duke u bërë më shumë sesa një shumicë e thjeshtë aritmetike për të shtyrë më fort procesin e negociatave në BE dhe për ti mbyllur ato brenda vitit 2027”, u shpreh Rama.
“Ti thua tani, ik me faqe të bardhë? Unë faqen e kam të bardhë pavarësisht sa përpiqen të ma nxijnë dhe koha do t’i vërë në vend të gjitha. Nuk mund të pretendosh që të jesh në një arenë të mbushur me baltë edhe të mos të të bëjnë pis”, tha Rama.
Por ama, shtoi Rama, “në fund të ditës, siç thoshte i ndjeri Kasem Trebeshina “qentë le të lehin, karvani të shkojë përpara”, në fund është rruga ajo që do të mbetet”.
/r.e/a.f/