Rama: Më 11 maj, me ne në BE ose me “kënetën madhështore” dhe shitësit e qilimave fluturues

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Partia Socialiste çeli sot fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit në sheshin “Skënderbej”.
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, tha se Shqipëria ndodhet në një moment historik që nuk duhet humbur, duke theksuar se vendi ka marrë një afat për të mbyllur negociatat dhe për të nënshkruar marrëveshjen e anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2027.
“Sot është dita, ky është muaji, i ndarë mes prillit dhe majit, kjo është dekada e ardhjes së fatit evropian të Shqipërisë mu në dorën tonë, ku si asnjëherë më parë që ne dolëm nga ferri komunist BE ka shkuar përtej fjalëve, përtej premtimeve dhe ka hapur portën e madhe duke na dhënë një afat për të mbyllur negociatat dhe për të nënshkruar marrëveshjen e hyrjes sonë në atë shtëpi të ëndërruar për të: 2027-n. E pra, tamam në këtë vit të 2025-s, që përpos të tjerash është jubilar, është një vit i shenjtë përbotësisht kur gjëmimet dhe kanosjet e luftës në dyert e Europës dhe rrëmuja e re gjeopolitike paralajmërojnë kohëra dhe sfida të mëdha përpara, ne shqiptarët nuk mundet në asnjë mënyrë ta humbasim takimin me historinë për mustaqet e Kujtim Gjuzit. Sepse sado komike të duket, kjo është e vërteta, të takosh historinë apo të futesh nën mustaqet e Kujtim Gjuzit”, tha Rama.
Rama tha se duhet të jemi të gjithë të bashkuar për mundësinë historike që i është dhënë vendit për integrimin në Bashkimin Europian.
Ai theksoi se vetëm përmes anëtarësimit në BE mund të sigurohet barazia para ligjit dhe një drejtësi e pavarur.
“Sot është dita dhe ky muaj i ndarë mes prillit dhe majit është koha që ne të nisim jo fushatën elektorale të radhës, por kuvendimin e madh të maleve dhe fushave të qyteteve dhe fshatrave të shqiptareve dhe shqiptarëve, përtej të majtës dhe të djathtës, matanë barrikadave partiake dhe ndasive të vjetra, për Shqipërinë zonjë në flamurin e madh të familjes së bashkuar europiane. Sa më të bashkuar dhe sa më të vetëdijshëm për fatin që na ka ardhur në derë – por jo përgjithmonë, sepse takimet me historinë nuk presin – ne duhet t’i shkojmë rrugës së hapur të fatit pa paragjykime për njëri-tjetrin dhe pa tundime për budallallëqet e radhës, nëse duam t’i japim fund historisë së një populli padrejtësisht i mbetur si i dorës së dytë dhe t’u dorëzojmë fëmijëve tanë dhe të gjithë brezave që vijnë një vend brenda kufijve të BE-së, ku mes shqiptarit, italianit, grekut apo gjermanit të mos ketë më asnjë dallim dhe jo vetëm të mos ketë më asnjë dallim por të mos ketë më asnjë shans për ta parë shqiptarin nga lart poshtë”, tha Rama.
“Shqipëria sot nuk është gjëkundi njësoj me atë që ishte kur ne morëm detyrën në asnjë fushë, askund, përveçse në kënetën e opozitës dhe të medias rreth saj, ku për hir të së vërtetës situata është edhe më keq se ç’ishte kur ne morëm detyrën, por nuk ka asnjë dyshim se Shqipëria sot nuk do të jetë gjëkundi njësoj me Shqipërinë 2030 në BE. Në asnjë fushë dhe në asnjë drejtim, mbase dhe këneta opozitare do të jetë tharë deri atëherë, por kjo është e vetmja gjë që e ka në dorë pakica dhe jo shumica e shqiptarëve. Shqipëria 2030 do të jetë një Shqipëri e re një vend me një tjetër pozicion dhe një tjetër fuqi si një shtet anëtar i një familje të madhe lirish, të drejtash dhe mundësish që ne sot nuk i kemi akoma dhe që as nesër nuk mund t’i kemi pa u bërë pjesë e asaj familjeje. Në atë familje liria individuale e shqiptarëve, të cilën kurrsesi nuk duhet ta marrim të mirëqenë dhe të dhënë njëherë e mirë, nuk mund të vihet në asnjë diskutim nga asnjë qeveri, sepse kush hyn në atë shtëpi nuk luan më dot kukafshehtas me qytetarët e vet”, tha Rama.
Rama e konsideroi 11 majin si një ditë vendimtare për fatin e vendit, duke e cilësuar votimin jo si një garë mes partive, por si një zgjedhje midis një Shqipërie në BE dhe kthimit pas në “gropën” e së kaluarës.
“Prandaj dhe në atë familje askush nuk e vë dot në pikëpyetje barazinë para ligjit për qytetarët e vet të cilën ne socialistët dhe progresistët e Shqipërisë e kemi sjellë për herë të parë si zhvillim real konkret aktual në jetën shqiptare, ku nuk ka pasur barazi para ligjit dhe as drejtësi të pavarur qysh nga viti 1912, prandaj qysh nga viti 1912, deri pak vite më parë nuk ka pasur kurrë, asnjëherë, në asnjë rast një individ të veshur me pushtet politik që të jetë hetuar e gjykuar nga prokurorë e gjykatës të pavarur prej qeverisë. Por ama, barazinë para ligjit populli shqiptar nuk mund ta lërë në dorën e qeverive dhe të parëve të qeverisë këtu, por duhet ta marrë vetë në dorë, duhet të mbarojë me gjithë forcën e vullnetit të vet duke filluar nga 11 maj ku zgjedhja nuk është mes ca partive, por mes Shqipërisë 2030 në BE dhe Shqipërisë drejt e në gropë përsëri. Me ne ose me “kënetën madhështore” dhe me shitësit e qilimave fluturues të pazarit të moçaleve të vegjël rreth saj, që kanë edhe ca emra qesharakë, jo bëhet, jo s’bëhet; jo mundet, jo s’mundet; jo bashkë, jo veç. Vetëm Shqipëria 2030 e blindon përfundimisht pa asnjë mundësi prapakthimi themelin e barazisë para ligjit që PS pati kurajën ta hedhë dhe deri atëherë deri kur ne ta fusim në atë zonë”, u shpreh Rama.
/r.e/