E Martë, 3 Nëntor 2026

Shqipëria 2030 në BE, Rama: Mbrojmë drejtësinë e re nga orvatjet destruktive të “kënetës”

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Partia Socialiste çeli sot fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit në sheshin “Skënderbej”.

Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh se Shqipëria ka shansin që të mbyllë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian brenda dy viteve të ardhshme, duke hyrë në familjen europiane deri në vitin 2030.

“Vetëm shqiptarët e bashkuar me mua dhe ju këtu mund të mbrojnë drejtësinë e re nga çdo orvatje destruktive e “kënetës”, mund të mbyllin negociatat me BE-në brenda dy vitesh”, tha Rama.

Rama u ndal gjithashtu edhe të programi ekonomik i PS-së. Sipas tij, Shqipëria e vitit 2030 do të përfitojë nga buxheti i përbashkët i Bashkimit Evropian.

Duke votuar Partinë Socialiste qytetarët shqiptarë sipas Ramës “mund të rrisin pagën mesatare në sektorin publik nga 1000 euro që është sot, në të paktën 1200 euro. Apo pagën e përgjithshme mesatare mund ta rrisin nga 830 euro që është sot në të paktën 1000 euro. Pa harruar pensionet dhe pensionistët të cilët ne jemi shumë të vetëdijshëm që meritojnë më shumë nga të gjithë dhe kanë përfituar më pak nga të gjithë”.

Sa i takon pensioneve, Rama u shpreh se PS synon që pensioni minimal të shkojë në 200 euro.

“Për pensionet dhe gjithë kontribuesit në skemë ne do ta ngjisim mesataren deri në 400 euro, ndërsa minimumin do ta synojmë deri në 200 euro”.

Rama shtoi se “pagën minimale që ishte 157 euro ne u themi atyre mund ta ngrenë me votën e tyre për ne, qysh prej janarit 2026 nga 400 euro, në 500 euro dhe në Shqipërinë 2030 ta kemi në 650 euro”.

Rama tha se të votosh për Shqipërinë 2030, do të thotë të votosh për një Shqipëri të re në aspektin financiar.

“Të votosh për Shqipërinë 2030 në BE do të thotë të votosh për një Shqipëri të re dhe në aspektin financiar. Shqipëria do të ketë falë arkës së përbashkët të asaj familje një buxhet solidariteti ekstra. E thënë ndryshe, nëse në këto vite kemi marrë nga BE diçka më shumë se 1 miliard euro, nga të cilat 90% janë kredi dhe 10% grant para e falur, kur Shqipëria të ulet në atë sofër do të marrë të njëjtën shumë, 1 miliard e ca euro çdo vit, si vend anëtar i BE-së, 90% do të jetë para solidariteti grant, e falur dhe vetëm 10% do të jetë kredi”, tha Rama.

Rama shtoi se deri tani bujqësia shqiptare ka përfituar më pak se 200 milionë euro për fermerët nga BE-ja, por me anëtarësimin, vetëm për këtë sektor do të akordohen 300 milionë euro në vit.

“Vetëm për bujqit, fermerët, Bashkimi Evropian na ka dhënë në tërë këto vite shumë më pak se 200 milionë euro, por në Shqipërinë 2030 do të marrim 300 milionë euro në vit vetëm për fshatin dhe bujqësinë”, tha Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›