E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Në rast se shkelet mbi 10% e lejes së ndërtimit, objekti konfiskohet

TIRANË, 3 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se nëse ndërtuesi abuzon në mbi 10% të lejes të ndërtimit do të konfiskohet i gjithë objekti.

Në një konferencë për medie, Rama u shpreh se parashikohen rregulla të qarta për konfiskimin për interes publik apo për strehim social.

“Çdo ndërtim që do të shkelë lejen në masën mbi 2%, pasi deri në 2% konsiderohet në praktikën ndërkombëtare si një masë e arsyeshme ndryshimesh gjatë procesit të ndërtimit, do të konfiskohet për interes publik apo për strehim social”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, Rama theksoi se është bërë edhe dallimi që midis 2% dhe 10% konfiskohet vetëm ajo shtesë dhe përdoret ajo sipërfaqe qoftë për t’i dhënë të pastrehëve, apo edhe për zyra për shtetin. Ndërsa mbi masën 10% konfiskohet totalisht ndërtimi.

Po ashtu kryeministri theksoi se është adresuar edhe problematika e ndërtimeve të papërfunduara.

“Për ndërtimet e papërfunduara, për të cilat ka përfunduar afati i lejes së ndërtimit prej më shumë se 5 vitesh, sipas këtij akti ligjor do të prishen ose do të konfiskohen. Po ashtu do të vendosen procedura për t’i përfunduar në rast se do të shfaqet dikush që i ka lënë në atë gjendje dhe do të sjellë garanci se mund t’i përfundojë”, tha Rama, ndërsa shtoi se “është përcaktuar me vendim të KM e gjithë procedura se si zhvillohet ky proces”.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›