E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Njohje e kontributeve për pensionistët që vijojnë punën, rrisim moshën për check-up falas

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë  Socialiste, Edi Rama deklaroi sot janë 15 mijë pensionistë që janë të vetëpunësuar.

Në takimin me pensionistë në Gjirokastër, kryeministri Rama tha se “na vjen shumë mirë që ua zgjidhëm këtë hall se më përpara nuk arrinin dot të merrnin njohjen e kontributeve që paguanin se quheshin që ishin në pension dhe s’kishin çfarë merrnin më”.

Më herët, zv.ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Olta Manjani duke folur në takim u shpreh se po mendohet nisma që njohja e kontributeve për pensionistët ende aktivë të shtrihet edhe për sektorë të tjerë e jo vetëm për të vetëpunësuarit. Përmes këtyre ndryshimeve, pensionistëve që zgjedhin të punojnë pas daljes në pension iu shtohen kontributet në llogaritjen e pensionit.

Kreu i qeverisë foli edhe për ndihmën ndaj nënave dhe fëmijëve me aftësi të veçanta.

“Janë 6 mijë nëna që shteti mbështet. Dua t’i them të gjithë nënave që kanë fëmijë me aftësi të veçanta se do ta dyfishojmë mbështetjen për fëmijët. Sepse pikërisht për këtë arsye, për nënat pra do të japim dyfishin e mbështetjes që marrin sot për fëmijën me aftësi të veçanta në mënyrë që të kenë më shumë mundësi të kujdesen për ta se e kemi shumë mirë parasysh që kujdesi për ta është jashtëzakonisht i veçantë për nga përgjegjësia dhe nga ngarkesa”, nënvizoi Rama.

Rama vuri në dukje se “besojmë se me këto lloj masash brenda suazës së mbështetjes për shtresat e pensionistëve për nënat dhe kështu me radhë jemi në drejtimin e duhur siç thoshte edhe sondazhisti i Donald Trump po siç nuk e kuptojnë dot ata që bënin komente”.

Ajo që dua t’ju them, vijoi Rama, është se janë edhe një sërë aspektesh të tjera që ne i konsiderojmë të rëndësishme sepse pensioni është njëra gjë ose mbështetja direkte, por transporti publik falas për pensionistët është një tjetër gjë.

Rama bëri të ditur se në shkolla do të ofrohet edhe dreka për nxënësit.

“Ajo që do të fillojmë në bashki qendra qarku për fëmijët që shkojnë në shkollë që do të kenë drekën të dhënë nga bashkia në shkollë. Në mënyrë që të mos ndërpritet puna e prindërve për të shkuar për t’i marrë dhe të jepet një vazhdimësi jetës së përbashkët të fëmijëve që nga mësimi të kalojnë pastaj tek bërja e detyrave në shkollë tek aktivitetet e tjera që po i zgjerojnë për fëmijët qoftë me sportin dhe artin e zejet besoj edhe këtu jemi në rrugën e duhur”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë premtoi se do të rritet edhe mosha e pensionistëve për kryerjen e check up falas përtej moshës 70 vjeç siç është aktualisht.

“Pas kërkesës së pensionistëve për të rritur moshën për check-up falas, do ta bëjmë këtë gjë, do t’ua rrisim moshën për check-up falas pensionistëve. Është një kërkesë që na ka ardhur nga shumë pensionistë për ta pasur këtë gjë. Check-up që ka qenë shumë i përbaltur ka treguar që është shumë i vlefshëm sepse ka ndihmuar në parandalimin e sëmundjeve që mund të përshkallëzoheshin në pika pa kthim duke u dhënë shumë njerëzve informacion që duhen të kujdesen për shëndetin”, tha Rama.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›