E Martë, 3 Nëntor 2026

Haxhiu: “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, mbështetje biznesit në fuqizimin ekonomik të grave

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Zv.sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu siguroi sot se programi i Aleancës për Shqipërinë Madhështore siguron mbështetje të biznesit në fuqizimin ekonomik të grave dhe integrimin e bizneseve të emigrantëve shqiptarë që duan të investojnë në Shqipëri.

Në një deklaratë për medie, Haxhiu siguroi se Aleanca për Shqipërinë Madhështore do ta bëjë rrogën mesatare 1200 euro, në mënyrë që shqiptarët të mos largohen nga vendi.

“Ndihma ekonomike dhe mbështetja me shërbime të specializuara për personat me aftësi të kufizuara është prioriteti ynë. Subvencione për fermerët dhe orientimi i tyre drejt kulturave të caktuara bujqësore”, shtoi ajo.

Po ashtu, ajo theksoi se buxheti për arsimin do të shkojë nga 2.3% në 5% të PBB-së.

“Kjo do të thotë: 1300 euro paga për mësuesit; 10-fishim i buxhetit për kërkim shkencor dhe 2000 euro paga për pedagogët”, shtoi ajo.

Haxhiu theksoi se në mbështetje të biznesit parashikohet edhe aplikimi i taksës së sheshtë 10% , heqja e taksës për biznesin e emigrantëve për 5 vjet, lehtësim të taksave për gratë sipërmarrëse , dhe ulje e të gjitha taksave për biznesin dhe pronën.

“Paratë që merren nga taksat duhen kthyer në shërbime , paga dhe pensione më të larta.
Zero tatim-fitim për vitin e parë të biznesit. Subvencionim 6-mujor i sigurimeve për sipërmarresit dhe stafin. Kredi te buta nga Banka e Zhvillimit. Fond i dedikuar ber bizneset e grave”, shtoi ajo.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›