E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama me pensionistë në Gjirokastër: Jemi një hap larg BE-së, shumica e qytetarëve mendojnë se jemi në rrugën e duhur

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot gjatë një takimi në Gjirokastër me një grup pensionistësh, se kanë qenë reformat e qeverisë socialiste që e kanë shpëtuar Shqipërinë nga kolapsi i dytë, ku mund të kishte rënë komplet shteti.

Kryeministri nënvizoi faktin se Shqipëria është një hap larg nga BE-ja, ndërsa u ndal sërish te sondazhi i publikuar mbrëmë në një televizion shqiptar, nga një prej sondazhistëve të famshëm të Amerikës.

Sipas Kryeministrit, analistë të ndryshëm në studio televizive përpiqen që të gjejnë çdo arsye të mundshme, përveç njërës që është njëherësh edhe më e thjeshta, fakti që Shqipëria është te dera e BE-së.

“Mbrëmë shikoja në Youtube se ka pajtuar një televizion, atë që bënte sondazhet e Donald Trump dhe isha kurioz të shikoja se ai është një nga sondazhistët e famshëm të Amerikës dhe ai në fakt doli që kishte të drejtë kur thoshte do të fitojë Trump, edhe isha kurioz të shikoja ka anketuar për Shqipërinë. Se s’po marrim vesh ca bëhet këtu, me këta. Se kanë vajtur, kanë paguar lekët e dynjasë për atë Latifin, edhe magjistarin. E keni dëgjuar që i thonë magjistari. Latifi kishte kandidat atje në Amerikë, këtu kë ka kandidat, nejse. Edhe ca të shikosh atje. Ai kishte bërë anketimin. Ne bëjmë anketime çdo muaj dhe ne e dimë shumë mirë se çfarë mendon populli, etj etj, dhe ai thoshte edhe ne pak a shumë kështu e kemi, gjysma 50 % e popullit shqiptar mendon se vendi po ecën në drejtimin e duhur. Këta aty në kënete aty, po mirë mo si ka mundësi? Jepnin të tërë shpjegimet e mundshme, përveç një shpjegimi, “Ore mos vallë këtu e kemi gabim ne dhe ca gjëra vërteta janë bërë,” jo more “kjo tregon se vërtet populli shqiptar është i sëmurë” –  tha njëri, kuptoni ju apo jo”, u shpreh Rama.

Kreu i PS-së vijoi duke shtuar se: “Po mirë mo, si u çmend gjithë bota këtu? U çmend BE, u çmend Banka Europiane e Investimeve, u sëmurën të gjithë këta që mbështesin Shqipërinë, u sëmur Komisioni Europian që thonë na kanë vënë të parët në rajon për menaxhimin e financave publike, për prokurimet publike. U sëmurën të tërë, vetëm këta janë në rregull, këta që duan bufin e kënetës janë në rregull, këta që duan ta kthejnë Shqipërinë në hon janë në rregull nga trutë. Vetëm këta. Populli është i sëmurë dhe prandaj unë them mjerë, se vetëm këtu s’kemi ça bëjmë ne, s’ndërhyjmë dot se mediat janë të lira, thonë ca duan, në tërë harkun mediatik, të tërë”, tha ai.

/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›