E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Pasaporta europiane garanton njohjen automatike të pensioneve edhe me Greqinë pa nevojë për negociata të gjata

TIRANË, 22 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u shpreh sot se pasaporta europiane i duhet vendit edhe për njohje automatike të pensioneve në shtete ku jetojnë e punojnë shqiptarët.

Në një takim me pensionistët në Gjirokastër, Rama solli në vëmendje marrëveshjet që janë bërë për njohjen e pensioneve.

“Ne kemi bërë shumë marrëveshje me shtete e tjera, por numrat e shqiptarëve nuk kanë qenë shumë të mëdhenj. Ndërkohë që njohja e pensioneve me Greqinë e Italinë, janë dy vendet me numrin më të madh të shqiptarëve”, tha Rama.

Sipas tij “është volum i madh për shtetin italian dhe atë grek që të njohë pensionin e  kontribuesve atje”.

Kryeministri theksoi se negociatat për njohjen e pensioneve me Greqinë kanë nisur por nuk dihet se sa mund të zgjasin.

“Greqia nuk është Italia në kuptimin edhe të mundësive. Ne kemi filluar negociatat, por ka një gjë, ne kemi sot në dorë t’i biem shkurt. Ne nuk e dimë sa mund të zgjasin negociatat me Greqinë, por dimë që në momentin që hyjmë në BE dhe shqiptarët marrin pasaportën, kjo pasaportë është kaq e rëndësishme për pensionet”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “menjëherë automatikisht me atë pasaportë bëhesh direkt pjesë e sistemit të sigurimeve shoqërore europiane.

“Çfarë jep atje të njihet këtu dhe anasjelltas. Kjo edhe në sistemin e sigurimeve shëndetësore”, shtoi Rama.

Me pasaportën europiane, sipas kryeministrit, ndryshon menjëherë statusi i shqiptarit në këtë kontinent. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›