E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Paga e mësuesve në Shqipërinë 2030, do të jetë 1200 euro

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë  Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se paga e mësuesve në Shqipërinë 2030 do të jetë 1200 euro.

Në fjalën e tij gjatë takimit me pensionistë në Gjirokastër, Rama tha se paga mesatare para ardhjes së PS në qeverisje, në sistemin publik ishte 370 euro, ndërsa sot është mbi 1 mijë euro. “Paga mesatare dhe tek mësuesit ka vajtur 950 euro dhe plani ynë është që në Shqipërinë 2030 të jetë 1200 euro”, u shpreh Rama.

Duke folur për punësimin e mësuesve vite më parë, Rama tha se “problem i mësuesve ishte problem i autoritetit të rënë përtokë”.

“Mësuesit ishin katandisur në pengje të politikës, halabakëve që vinin rrotull shkollës, pengje të vetë nxënësve që ishin çoroditur komplet dhe nuk kishin asnjë siguri në punën e tyre”, vijoi ai.

“Sot jepnin te shkolla “Asim Zeneli” nesër i kishin flakur diku tjetër se do vinte ndonjë mësues që s’kishte as arsimin përkatës. Kur ne kemi filluar këtë punë kishte afro 5 mijë mësues pa arsimin përkatës, mësues që kishin mbaruar biologji dhe jepnin fizikë, se kishin një krushk, një parti, paguanin lekë etj”, tha Rama. /k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›