E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Plane zhvillimi për çdo sektor, japim llogari në negociatat me BE-në

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryeministri, Edi Rama njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se, “Partia Socialiste ka program dhe plan qeverisës në çdo sektor, se jemi duke negociuar me Bashkimin Europian”.

Gjatë bashkëbisedimit me pensionistë në qytetin e Gjirokastrës, Rama theksoi se, “planet tona në çdo sektor janë të detajuara të gjitha çështjet edhe për pensionet ne japim llogari në BE. Çfarë planesh kemi, ku do të shkojmë, si do të shkojmë, sepse nuk mund të shkojmë në BE dhe t’u themi shifra sipas qejfit se do ta çojmë këtu e ashtu. Sepse anëtarësimi në BE do të thotë që të futemi në një familje që janë si gjirokastritët, ku llogaritet çdo qindarkë dhe BE është familje që në atë arkë të ardhurash ndan për të tjerët”.

Rama u shpreh se, duke qenë se “ne hyjmë tek vendet që janë përfitues, sepse vendet e mëdha janë kontribuuese për familjen e përbashkët, dhe aty do të jetë momenti ku ne do të bëjmë një politikë më agresive në favor të pensionistëve, sepse do të kemi një buxhet ekstra”.

“Llogariteni që sot ne kemi marrë shumë mbështetje prej tyre. 1 miliard euro mbështetje për shumë gjëra, në këto vite dhe në momentin që ne hyjmë në këtë familje, marrim 1 miliardë euro mbështetje çdo vit, ku 300 milionë janë për bujqësinë, 300 të tjera për infrastrukturën, çfarë të ardhurash kemi nga tonat që ne i çojmë në këto drejtime mund t’i kollandrisim dhe një pjesë e ndajmë për pensionin duke bërë që pensionin minimal ta kemi më të arsyeshëm”, tha ai.

Sipas tij, kjo punë bëhet që të kemi më shumë për gjyshërit për të mos iu hapur gropën nipërve dhe mbesave siç ndodhi në ’97. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›