BE: Fuqizim i gazetarisë së mjedisit, për një Shqipëri më të gjelbër dhe më të qëndrueshme

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Silvio Gonzato, së bashku me përfaqësues të projekteve të financuara nga BE që fokusohen në mjedis, ndanë dje me gazetarët mënyrat se si BE-ja po e mbështet Shqipërinë në përballimin e çështjeve mjedisore dhe në mbrojtjen e biodiversitetit të saj.
“Kapitulli 27 i BE-së për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike është një nga më të vështirët dhe më të kushtueshmit për t’u zbatuar, por përfitimet afatgjata për shëndetin, punësimin dhe klimën e tejkalojnë koston. Shqipëria ka bërë disa përparime në miratimin e ligjeve, por zbatimi mbetet i dobët. BE-ja po e mbështet vendin për t’u përafruar me standardet e gjelbra dhe, së bashku me vullnetin politik, angazhimin financiar dhe mbështetjen publike, ne mund ta arrijmë këtë.
Gazetarët mund të luajnë një rol kyç në këtë tranzicion duke theksuar përfitimet e reformës mjedisore, duke i bërë ato të afërta për publikun e gjerë dhe duke siguruar që të jenë një prioritet kombëtar”, u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, gjatë fjalës së tij.
Ky takim u organizua në kuadër të projektit “EU4GreenGen”, i cili synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe komunikimin mbi mbrojtjen e biodiversitetit dhe ekonominë rrethore, duke e pozicionuar median si një nxitëse kyçe të ndryshimit për një Shqipëri më të gjelbër.
1 nga 5/m.q//r.e/