Rama: Respekt e dëshirë për ta rikthyer Kavajën në drejtimin e duhur

TIRANË, 21 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste prezantoi sot skuadrën e PS-së për zgjedhjet e 11 majit në Kavajë, ndërsa u shpreh se “duam shumë seriozisht të investojmë shumë kredite politike tonat për Kavajën dhe Rrogozhinën”.
Në një takim me gratë dhe vajzat e Kavajës, Rama theksoi se sot në skuadrën e PS-së për Shqipërinë 2030 dhe skuadrën që është sot në fushë të kësaj gare të 11 majit janë 71 gra dhe vajza. Po ashtu Rama kujtoi se në listën e mbyllur janë 52% gra dhe vajza.
“Dhe këtu në Kavajë nuk ka gjë më të bukur se sa gratë dhe vajzat do të luftojnë për burrat që janë kandidatë, sepse përfaqësueset e tyre i kanë deputete sot, Elisa Spiropali dhe Ilva Gjuzin”, tha Rama.
Sipas tij, “në Kavajë ka ndodhur diçka shumë domethënëse për momentin politik të Shqipërisë për përmbajtjen e dy palëve”.
“Ne kemi sjellë këtu për këtë zonë katër deputetë nga të cilët dy janë dy gra, personazhe që meritojnë shumë respekt. Njëra kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, tjetra një prurje e re në PS. E rëndësishme për të gjithë votuesit dhe zgjedhësit në këtë zonë është të kuptojnë me sa respekt dhe dëshirë jemi për ta rikthyer Kavajën në drejtimin e duhur”, tha Rama.
Rama tha se “ne jemi investuar këtu, pasi kemi sjellë edhe kryeministrin e PS-së në kohë të vështira dhe në moshë të re, Pandeli Majko”.
“Sot është këtu për të thënë ne nëpërmjet Pandit se ne duam shumë seriozisht të investojmë shumë kredite politike tonat për Kavajën dhe Rrogozhinën pa dyshim, ku kemi një tjetër zonjë që është kandidate. Bashkë me Pandin kemi edhe Eldin, një djalë nga Kavaja. Kjo është oferta jonë, domethënë oferta jonë në Kavajë është shumë e veçantë dhe e rrallë sepse Kavaja nuk është Tirana, nuk është Kamza nga pikëpamja e numrit e peshës, por ka mundësinë që një zgjedhës këtu në Kavajë me një votë të marri 4 deputetë”, shtoi Rama. /j.p/