E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Rritja e cilësisë së turizmit sjell rritje të PBB-së

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Edi Rama mori pjesë sot në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste në qytetin e Beratit.

Në fjalën e tij, Rama u ndal te situata në zonën e Zvërnecit, teksa u shpreh se, debati sot është çfarë Shqipërie do të kemi pas 5, 10 apo 15 vitesh.

“Debati real sot nuk është a do të mbrohet apo jo biodiversiteti, sepse kjo është pjesë e pandashme e detyrave dhe punës sonë si qeveri në raport me çdo lloj investitori. Debati sot nuk është a do të hiqet apo do të mbetet ajo zonë si peizazh i mbrojtur, sepse ajo ka qenë, është dhe do të jetë peizazh i mbrojtur.

Debati sot është më i thjeshtë, por edhe më i thellë se kaq: çfarë Shqipërie do të zhvillojmë ne dhe çfarë Shqipërie do të kemi pas 5, 10 apo 15 vitesh? Si do ta arrijmë ne zhvillimin ekonomik të Shqipërisë? Si do ta rrisim PBB-në e Shqipërisë nëse në industrinë tonë kryesore kemi turizmin, një industri që zhvillohet pikërisht në vende që kanë respekt për natyrën dhe mjedisin”, tha Rama.

“Ne nxjerrim mësime të vazhdueshme nga gabimet e bëra në të kaluarën. Por nëse mendojmë se do të rrisim PBB-në, pagat, pensionet dhe konsumin pa rritur cilësinë e turizmit, ne mendojmë gabim”, tha ai.

“Nëse mendojmë se do të përqendrohemi vetëm tek investimet e vogla, copa-copa, dhe vetëm te hotelet që sjellin turizëm masiv, i cili ka qenë shumë i mirë për ne në këtë periudhë, por nuk është i qëndrueshëm në afatgjatë, atëherë ne gabojmë”, u shpreh Kryeministri.

“Kush mendon se turizmi cilësor është vetëm në interes të turistëve që vijnë dhe paguajnë shumë për dhomën, gabon, sepse ata kur vijnë, në radhë të parë duan të konsumojnë produktet e vendit ku shkojnë. Investime si ky në Zvërnec janë investime që do t’i dëshironte çdo vend. Dhe janë investime që jo çdo vend ka dëshirë t’i shohë që t’i bëjë Shqipëria”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se, “janë investime që mobilizojnë gjithë çfarë ka përreth: mobilizojnë bujqit, mobilizojnë blegtorët”.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›